Lajme

Një 29-vjeçare shtatzënë vdes nga coronavirusi në QKUK

Një 29-vjeçare shtatzënë, ka vdekur nga coronavirusi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Rasti është bërë i ditur nga QKUK.

“Mund t’ju konfirmojmë informacionin se një grua shtatzënë (1991) ka ndërruar jetë në Mjekimin Intensiv Qendror rreth orës 3:00 të mëngjesit të sotëm”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së për gazetashneta.

Sipas tyre, ajo ka qenë shtatzënë në javën e 27-të, dhe ndonëse ka qenë nën monitorimin e konziliumit mjekësor, nuk është arritur të shpëtohet as foshnja.

Mësohet se shtatzëna ishte pranuar fillimisht në Klinikën e Gjinekologjisë javën e kaluar, por në të njëjtën ditë ishte transferuar në Klinikën Infektive e tre ditë më vonë në Mjekimin Intensiv Qendror ku ishte intubuar për shkak të gjendjes së rëndë.

Kjo është shtatzëna e dytë që ka humbur betejën me coronavirus në Kosovë.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, njoftoi të enjten se gjatë 24 orëve të fundit 15 pacientë kanë vdekur dhe janë regjistruar 775 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton coronavirusi.