Lajme

Vuçiq: Nuk e kam problem të flas me kosovarët, të gjithë janë të mirëpritur në “Ballkanin e Hapur”

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë ditës së sotme ka biseduar në telefon me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, nga i cili ka marrë një ftesë shtesë për të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor më 23 qershor në Bruksel, kanë raportuar mediet serbe, përcjellë Gazeta Blic.

“Kam zhvilluar një bisedë telefonike me Borellin e cila ka zgjatur 25 minuta, biseduam për integrimin evropian të Serbisë, dialogun me Prishtinën, situatën në rajon, e cila ndonjëherë është e komplikuar, kështu që biseduam për të gjitha temat e rëndësishme me interes për qytetarët e vendit tonë dhe të rajonit”, shpjegoi Vuçiq në një deklaratë për shtyp në Ohër, ku po merr pjesë në samitin dyditor të nismës rajonale “Ballkani i Hapur”.

Presidenti serb tha se është diskutuar edhe për Samitin e ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor dhe se ka marrë një ftesë shtesë nga Borelli për të marrë pjesë.

Ai ka bërë të ditur se bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për çështjen e deklaratës për personat e pagjetur, si dhe për pakon e energjisë, duhet të vazhdojnë të nesërmen.