Nga Rrezarta Delisula: Presheva, Bujanoci e Medvegja: arsyet për të vizituar vendbanimet e shqiptarëve
Ata gjenden njësoj të baraslarguar kilometrikisht mes Tiranës e Beogradit, mes Shkupit e Prishtinës, por tërësisht të lënë pas dore nga qeveritë shqiptare e kosovare. Janë si Robinson në jug të Serbisë, në luftën dhe presionin e përditshëm për të mbijetuar e mosshpopulluar. Jemi në Preshevë, ku mbizotërojnë shqiptarët e me pas do shkojmë në Bujanoc. Nga Tirana duhen vetëm 5 orë për të parë zonën e shqiptarëve ndërsa nga kufiri me Shkupin, Tabanoci, është vetëm 30 minuta. Presheva është një vend i vogël, mikpritës dhe bën kafen më të mirë në zonën e shqiptarëve. Shtëpitë janë të ulëta dy-trekatëshe ndërsa në periferi janë ndërtuar komplekse moderne banimi. Ajo mbahet me remitancat e emigrantëve edhe pse tashmë biznesmenë vendës kanë nisur të hapin ndërmarrjet e tyre kryesisht në ndërtim.
Zona e populluar nga Serbët, të cilët zënë vetëm 2 për qind të popullsisë është te Hekurudha, e ndarë veç pjesës tjetër ku dominojnë shqiptarët. Në Luginën e Preshevës nga 12 parti politike që kanë qenë më parë, tani janë vetëm 5. Partia Veprim Demokratik (PVD), PDSH ose Partia Demokratike Shqiptare, Alternativa Për Ndryshim (APN), Partia Demokratike (PD), LPD ose Lëvizja Progresive Demokrate. Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj vetëm para disa javësh njoftoi se partitë shqiptare të Luginës së Preshevës do të bëhen bashkë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi, që mendohen të jenë më 26 prill 2020. Ky grupim u quajt “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”. Nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar për herë të parë, Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Partia Demokratike, Lëvizja Reforma në PDSH dhe Lëvizja e Progresit Demokratik do të veprojnë me një program sa herë do të jenë në pyetje parimet kombëtare dhe çështja e Luginës së Preshevës.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do të krijojë një pozicion më të fuqishëm të shqiptarëve në Serbi. Aktualisht në parlamentin serb i përbërë nga 250 deputetë është vetëm një deputet shqiptar, Fatmir Hasani. Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, nuk mund të përdorin simbole shqiptare, madje as flamurin kuq e zi nuk mund ta vënë në institucione apo në raste festash. Autoritetet serbe kërkojnë që flamuri të ketë formë e përmasa më të vogla se flamuri ynë kombëtar.
PASIVIZIMI I ADRESAVE
Një vit më parë qeveria e Serbisë mori vendimin për regjistrimin e banesave dhe sipas kryetarit të komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ky është një vendim për defaktorizimin e Luginës së Preshevës. Një pjesë e mirë e familjeve punojnë në Kosovë, por edhe në Shkup dhe kthehen në Preshevë vetëm në fundjavë. Regjistruesit serbë vijnë pikërisht ditët e javës dhe pasi nuk gjejnë njeri në shtëpi, e quajnë të pabanuar. Pikërisht pasivizimi i adresave sipas Arifit është heqja e së drejtës së votës, të shtetësisë. Kjo u pa edhe në zgjedhjet në Medvegjë, ku në listat e votuesve ishin 4 mijë shqiptarë. “Po lobojmë kudo e zyrtarisht kemi kërkuar shifrat e regjistrimit të banesave. Institucionet e huaja e ambasadat janë vënë në dijeni të situatës, por edhe qeveritë e Kosovës e Shqipërisë duhet të kthejnë sytë nga Lugina e Preshevës, pasi ne jemi shqiptarë e s’mund të ndjehemi vetëm”, thotë Shqiprim Arifi për “Gazeta Shqiptare”.
Në Kushtetutën serbe ekziston detyrimi për respektimin e pakicave, por në realitet serbët dinë shumë mirë të mbrojnë pakicat e tyre në Kosovë e kjo edhe me ndihmën e qeverisë në Prishtinë, ndërsa pakicat e shqiptarëve në Serbi kanë minimumin e të drejtave. “Kosova dhe Shqipëria nuk duhet të na harrojnë dhe duhet ta kenë në përkujdesje Luginën e Preshevës duke formuar Fondin e Solidaritetit”, thotë Shqiprim Arifi, ndërsa të dyja shtetet dhanë për ta vetëm nga 50 mijë euro. “Para syve tanë po ndodh një Çamëri e dytë dhe mos me lëviz është e pafalshme”, – thotë Arifi.
RINIA
Të rinjtë e Preshevës, edhe pse janë pezull, mundohen të kenë kreativitet dhe luftojnë për të mbijetuar. Edhe pse shumica e tyre është e diplomuar, punojnë si kamerierë pasi diplomat e marra në Prishtinë nuk i njehsohen në Serbi. Një pjesë e tyre kanë zgjedhur kryeqytetin kosovar për të jetuar dhe djemtë e vajzat preshevarë përbëjnë pjesën më të madhe në tregun bankar. “Në shkollat tona fëmijët e kanë serbishten gjuhë të dytë e nuk e preferojnë dhe kjo është një arsye që të rinjtë nuk studiojnë në universitetin e Beogradit. Por probleme njehsimi të diplomave kanë edhe studentët që kanë kryer universitetet në Shqipëri, sepse titujt e marrë në Tiranë nuk janë të njëjtë me ata të Serbisë”, thotë për “Gazeta Shqiptare” kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi. Pikërisht rinia është në vëmendjen e kryetari të komunës, i cili përmes programeve ‘start-up’ i ka angazhuar ata, ndërsa në komunë me shaka thotë se ai është më i vjetri dhe është vetëm 44 vjeç.
Lidhja e tij me të rinjtë është pak më e hershme, pasi në vitin 2015 së bashku me një grup të rinjsh kanë themeluar partinë “Aleternativa Për Ndryshim”, pikërisht me qëllimin që të ndryshojnë gjendjen sociale-politike dhe ekonomike në Preshevë. Të rinjtë janë ata që kanë themeluar dhe Teatrin e Preshevës, duke i bërë më të këndshme pasditet e vendësve. Për Shqiprim Arifin, kryesorja është lufta për t’i tërhequr të rinjtë nga vendet e Bashkimit Europian më së shumti nga Austria, Zvicra e Gjermania dhe në krahasim me vitin 2016 ku kishin të punësuar 32 të rinj, më 2018 numri i tyre arriti 246 dhe pjesa më e madhe, femra. BBUJANOC Për të shkuar në Bujanoc duhen vetëm pak minuta, sepse distanca është 20 kilometra dhe pagesa rrugore kushton 65 cent.
KËRKESAT
Shaip Kamberi, ish-deputet i PVD-së, tashmë drejton komunën e Bujanocit, por sipas tij, e vetja punë që mund të kryejnë ata është mirëmbajtja e godinave shkollore, pasi të drejtat e shkruara në letra s’mund t’i realizojnë. Ndryshe nga Presheva, e cila që nga 1990-ta udhëhiqet prej shqiptarëve, Bujanoci e ka sefte drejtimin nga shqiptarët. “Ne kemi mungesë tekstesh shkollore, jemi të përjashtuar nga të gjitha programet e Serbisë, privatizimi i ishndërmarrjeve shtetërore dhe në të gjitha betejat politike jemi vetëm. Mbështetja e qeverive shqiptare e kosovare është vetëm deklarative, ndërsa mungojnë projektet serioze”, thekson kreu i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi. Ndërsa sipas Fatmir Hasanit, deputetit shqiptar të vetëm në parlamentin serb, centralizimi i pushtetit serb po minon fuqinë e shqiptarëve.
TURIZMI
“Ditët e Miqësisë” të organizuara nga Uninoini i Gazetarëve Shqiptarë me ndihmën e shoqatës “ResEgnatia” kanë si qëllim pikërisht shkëmbimin e eksperiencave mes gazetarëve, turizmin dhe trashëgiminë kulturore dhe zgjedhja e Luginës së Preshevës nga UGSH nuk ishte e pamenduar. Ishte hera e parë që minoriteti shqiptar në Serbi vizitohej nga rreth 70 gazetarë nga e gjithë Shqipëria. Kjo vizitë u konsiderua historike nga media vendëse e sipas kryetarit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, ishte një vizitë e vonuar. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Serbi, z.Ilir Boçka dhe zv.ambasadori Virgjil Kule. Ambasadori shqiptar kërkoi që mes shkrimeve të nxiten dikasteret dhe investitorët shqiptarë për të krijuar partneritet me shqiptarët e Luginës, me qëllim ruajtjen e bërthamës shqiptare. Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Nacional të Preshevës bëri një paraqitje të resurseve dhe trashëgimisë materiale e jomateriale që ka Lugina e Preshevës. Ai e nisi me kalanë e Preshevës si pjesë e Rrugës Egnatia, me banjat termale të Bujanocit dhe Siarinës në Medvegjë, me veshjen medvegjase që konsiderohet unikale nga ngjyrat dhe ornamentet.
Medvegja
Medvegja është 150 kilometra larg Bujanocit dhe 170 nga Presheva. Për të shkuar në Medvegjë është më lehtë të kalosh nga Prishtina, e cila ndodhet vetëm 70 km larg. Emërtimi Lugina e Preshevës është një term politik, që përdoret për të lidhur zonat ku banojnë shqiptarët. . Ambasadori i Shqipërisë në Serbi, z.Ilir Boçka dhe zv.ambasadori Virgjil Kule në takimin e gazetarëve në Bujanoc GJILANI Pika doganore e Konçulit është pika që lidh Bujanocin me Gjilanin dhe Prishtinën më pas. Distanca mes Bujanocit e Gjilanit është vetëm 35 kilometra e shumë shqiptarë të Bujanocit zgjedhin të punojnë në Kosovë për kushte e pagë më të mirë.
LLIXHA DHE HOTELE
Çmimet në Preshevë e Bujanoc janë relativisht të lira. Një dhomë hoteli kushton deri 20 euro për dy veta e çmim i njëjtë është edhe për një, por me mëngjesin brenda. Ushqimet, dreka e darka nuk kushtojnë më shumë se 10-15 euro për person, ndërsa nëse udhëtoni në këtë zonë, mos lini pa provuar rakinë e ftoit dhe të dardhës, që ka një shije të jashtëzakonshme. Frutat e pyllit në periudhë gushti gjenden shumë lirë në malësitë e Bujanocit e po kështu, ata shquhen edhe për mishin bio. Ndërsa, nëse doni të kaloni disa ditë në llixha që në gjuhën e shqiptarëve të luginës quhet Baja, mund të zgjidhni Bajën e Bujanocit dhe të Siarinës në Medvegjë. Baja e Bujanocit shtrihet në luginën e Moravës, 400 metra mbi nivelin e detit në skajin më jugor të Serbisë. Në të kryhen shërbime të shumëllojshme shëndetësore dhe ka pishina të hapura e të mbyllura, terrene sportive, restorante dhe dhoma të pajisura më së miri. Pranë llixhave gjendet Prohorova, një zonë e përshtatshme për turizëm e gjueti. Në qendër të saj ndodhet manastiri “At i Shenjtë”, që daton në shekullin e 11 e po ashtu ka dhe lokalitet arkeologjik mesjetar. Në Bujanoc mund të shihni gjithashtu ujëvarën në fshatin Tërnoc dhe liqenin e Bujanocit, bukuri natyrore të zonës. Ndaj të shkosh në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, secili prej nesh duhet ta ndjejë si detyrim, për të mbajtur gjallë atë copë shqipfolëse në Serbi, duke mos u lënë autoriteteve qendrore mundësinë e asimilimit e të rrudhjes së shqiptarëve.
Shkruar nga Rrezarta Delisula- Gazeta Shqiptare