Nga nesër vetëm 6 ‘zona të kuqe’ në Shqipëri, hapen berberët, dentistët e qendrat tregtare
Ditën e nesërme të pakta do të jenë qytetet e Shqipërisë që do të qëndrojnë ende nën rregullat e karantinës.
Nga e hëna pritet që vetëm 6 qytete të jenë ende nën kategorinë e zonave të kuqe, teksa 16 zona të tjera do të konsiderohen të ‘gjelbra’, duke nënkuptuar më shumë liri për qytetarët e transportin.
Por përtej karantinës së imponuar në zona e qytete ku koronavirusi qëndron ende aktiv, 11 maji do të shënojë dhe hapjen e një sërë biznesesh të tjera, duke filluar nga dentistët, berberët/parukeritë e deri tek qendrat tregtare.
Java që vjen kësisoj do të sjellë një hapje thuajse totale të Shqipërisë, pas mëse dy muajsh në karantinë, ndërsa javën tjetër (18 maj) pritet të hapen edhe më shumë biznese e në veçanti lokalet. Në fund të muajit qeveria bëhet gati që të hapë dhe plazhet në vend.
Një tjetër ndryshim është edhe me karantimin e të riatdhesuarve, ku nuk do të ketë më hotele karantinë, por të gjithë shqiptarët e ardhur në vendin tonë do të karantinohen në banesat e tyre.
Por pavarësisht lirive, kujtojmë se Shqipëria mbetet ende në gjendjen e fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor, çka do të thotë se shumë të drejta e liri janë të ndaluara. Shembulli më kuptimplotë ka qenë ai i ditëve të fundit, ku disa qytetarë tentuan të protestojnë në sheshin Skënderbej në Tiranë, por shumë shpejt u larguan nga policia, e cila përdori në raste të caktuara dhe forcën fizike për shpërndarjen e tubimit./