Në Samitin në Tiranë Thaçi foli për heqjen e kufirit mes Kosovës e Shqipërisë
Presidenti Hashim Thaçi, ditën në Tiranë e nisi me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini.
E, kjo e fundit e çoi drejt presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin shtrënguan duart – ftohtë.
Por, nuk veproi ngjashëm edhe me Milorad Dodikun, që shoqëronte presidentin Vuçiq, e që e para fillimit të mbledhjes plenare të Samitit të Brdo-Brijunit, e injoroi.
Shtetin e Dodikut, Bosnjë e Hercegovinën, Thaçi e përmendi edhe në fjalimin e tij, kur tha se në Kosovë nuk do të ketë Republika Srpska, e as Asociacion të komunave serbe me kompetenca ekzekutive, raporton KTV.
Vitin 2019, presidenti Thaçi ende e sheh si mundësi për arritje të një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, por tregoi edhe se çka kanë biseduar gjatë të mërkurës me kryeministrin Edi Rama.
Edhe një herë tjetër, pas përfundimit të mbledhjes, Thaçi u pyet për Dodikun dhe tha të mos e ketë të qartë se pse ka qenë i ftuar në Samit.
Për këtë, mori përgjigje nga mikpritësi i samitit, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Presidenti Meta i ka vlerësuar si pozitive zhvillimet e Samitit, derisa edhe presidentët e tjerë në konferencën përmbyllëse vlerësuan samitin si konstruktiv, megjithëse pa ndonjë rezultat konkret.
Më konkrete ka qenë presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviq, që gjendjen në Evropën Juglindore e përshkroi si një vakum të rrezikshëm, në veçanti nga ndikimi i palëve të treta.
Derisa ka theksuar nevojën që kosovarët ta marrin liberalizimin e vizave, Grabar-Kitaroviç tha se do ta kthejnë Ballkanin Perëndimor në llupë të BE-së, në vitin kur shteti i saj do të kryesojë me BE-në.
“Besoj se vetëm anëtarësimi i gjithë Evropës juglindore, do të ofroj paqe dhe siguri të qëndrueshme në këtë rajon. Kështu që do të punojmë së bashku për të arritur këtë”, ka thënë Kolinda Grabar-Kitaroviq.
Pas përfundimit të Samitit, janë publikuar edhe konkluzionet në mesin e të cilave theksohet mbështetja për qëndrimin e BE-së që një nga kushtet për anëtarësim të një vendi aspirues të mbetet zgjidhja e çështjeve të hapura me fqinjët.
Gjithashtu, i është bërë thirrje BE-së që zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor, ta konsiderojë si çështje me rëndësi gjeopolitike dhe faktor për stabilitetin evropian.
Samiti i ardhshëm i procesit të Brdo-Brijunit, sipas dakordimit të pjesëmarrësve, do të mbahet në Slloveni gjatë muajit nëntor.