Në ditën e shenjtërimit, Banka e Shqipërisë sjell 200-lekëshin me Nënë Terezën
Në 3-vjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terëzës, Banka e Shqipërisë ka sjellë monedhën e emetuar në vitin 2012, si shenjë përkujtimore për këtë figurë që ka lënë gjurmë në historinë e kombit shqiptar, por edhe në mbarë botën.
Kjo monedhë nuk është hedhur ende në treg, ku pritet që ai të zëvendësojë 200-lekëshin prej letre me vlerë që aktualisht përdoret në vend.
Në pamjen kryesore, në qendër të monedhës qëndron një pëllumb i stilizuar në fluturim, si simbol i paqes. Ngjyra e pëllumbit dhe ajo e shiritave harkorë e harmonikë, që mbyllin formën rrethore të monedhës, është e njëjtë me atë të shamisë, në pamjen pas të monedhës. Në pjesën e poshtme, shkruhet vlera emërore, 200 Lekë. Në hark sipër, në formë simetrike, dy degë ulliri, si simbol i paqes që Nënë Tereza përcolli midis njerëzve.
Në pamjen e pasme, në qendër të monedhës është vendosur portreti i Nënë Terezës. Mbi portret shkruhet “NËNË TEREZA” dhe vitet e lindjes e të vdekjes. Poshtë portretit shkruhet emri i lindjes “Anjezë Gonxhe Bojaxhiu” dhe në hark poshtë “SHQIPËRI – ALBANIA 2012”