Në Austri banesat, rryma dhe ushqimet kanë shënuar rritje rekorde
“Pas fillimit të luftës në Ukrainë, jeta në Austri është shtrenjtuar aq shumë sa që nuk ishte prej më shume se 40 vjetëve më parë: Norma e inflacionit ishte 6.8 për qind në mars të vitit 2022. Herën e fundit po kaq i lartë inflacioni ishte në nëntor të vitit 1981, atëbotë 7.0 për qind. Faktori vendimtar pas rritjes së çmimeve në mars ishte rritja e çmimit të karburantit, i cili më parë kishte qenë një nxitës i fortë i çmimeve. Edhe çmimet për energjinë shtëpiake kanë vazhduar të rriten, veçanërisht çmimet e naftës për ngrohje, të cilat janë dyfishuar me 118,5 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar”, thotë drejtori i përgjithshëm i Statistikave të Austrisë, Tobias Thomas, përcjell albinfo.at.
Çmimet e karburantit
Sipas heute.at bazuar në Statistikat e Austrisë, rritja e çmimeve të transportit (mesatarisht +15,9 për qind) ndikoi në normën e inflacionit me +2,15 për qind, e cila ishte dukshëm më e lartë se në muajin shkurt (+10,6 për qind). Veturat e përdorura u bënë papritur 16.1 për qind më të shtrenjta, kurse ato të rejat shënuan rritje prej 6.8 për qind. Ka pasur edhe ulje, si biletat e fluturimit (-3.5 për qind), transmeton albinfo.at.
Energjia, uji, banimi
Mesatarisht, uji, banesa dhe energjia kushtojnë 9.7 për qind më shtrenjtë. Edhe çmimet e naftës për ngrohje prej +118.5 për qind janë rritur masivisht. Çmimet e gazit (mars: +71,9 për qind) dhe kostoja e energjisë elektrike (mars: +16,5 për qind) u rritën ndjeshëm.
Çmimet për ngrohje qendrore janë rritur me 12,2 për qind dhe për lëndët djegëse të ngurta me 14,4 për qind. Hotelet dhe restorantet gjithashtu rritën çmimet e tyre me rreth 6.6 për qind.
Shtrenjtohen edhe produktet ushqimore
Pijet joalkoolike dhe ushqimet janë shtrenjtuar për 5.8 për qind, pak më shumë se në shkurt (+4.3 për qind). Kjo ishte kryesisht për shkak të ushqimeve më të shtrenjta (mars: +5.4 për qind). Çmimet e produkteve të drithit dhe bukës u rritën me 7,2 për qind, perimet me 9,0 për qind, mishi me 4,1 për qind dhe pijet joalkoolike me +9,8 për qind. Çmimet e kafesë në veçanti u rritën ndjeshëm (mars: +12.3 për qind)