Mustafa i reagon Fitore Pacollit: Për ju është e tepërt të jesh i gjallë, turp të përgojosh nënën e dëshmorëve
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa i ka reaguar deputetes së LVV-së, Fitore Pacollit pasi që kjo e fundit mbrëmë në një paraqitje publike ka përmendur Mustafën dhe nënën e ish’kryeministrit Ramush Haradinaj, duke thënë se kanë kërkuar shërim jashtë vendit.
Mustafa ka shkruar në Facebook se kjo logjikë e deputetes Pacolli është fashiste.
“Edhe të sëmurët s’guxojnë të shërohen ku ata kanë nevojë, por aty ku diktojnë trurët e shpërlarë. Të përgojosh nanën Rukë, nënën e dëshmorëve e të luftëtarëve të gjallë të lirisë është turpi i turpit. Është kulmi i idiotësisë individuale e kolektive, i mungesës së edukatës minimale familjare dhe e traditës kombëtare”, shton ai.
Mustafa thotë se nuk ka pyetur për shërimin e tij jashtë Kosovës, ata që e kanë gjuajtur me mollotov dhe gaz lotësjellës.
“Sa për shërimin tim në vend dhe jashtë vendit, e vërteta është se nuk i kam pyetur ata që më gjuajtën me mollotov, me gaz lotësjellës, me sprej syve; që tentuan atentate me iriqë të hekurt, që gjuanin me bomba shtëpitë dhe institucionet shtetërore. Sepse i gjallë je i tepërt për logjikën e tyre”, ka shkruar ai.