Lajme

Mustafa arrin në Kuvend për takimin me Kurtin: LDK-ja ka bërë ofertë shumë të balancuar

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka arritur në Kuvendin e Kosovës për takimin me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti, në vazhdën e takimeve për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Para hyrjes në Kuvend, ai ka thënë për gazetarët se “LDK-ja ka paraqitur ofertën që është shumë e balancuar”.

Duke komentuar edhe ftesën që në këtë takim të jenë edhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it si dhe shefja e misionit të BE-së në Kosovë, Mustafa ka thënë se ftesa për ta është dërguar nga Vetëvendosje.

Në anën tjetër, pak pas Mustafës në Kuvend arriti edhe nënkryetari i VV-së, Besnik Bislimi, që shkurt u shpreh se ambasadorët do të vijnë në takim.

Janë bërë gati katër muaj që nga zgjedhjet e përgjithshme. VV-ja e LDK-ja ende nuk kanë arritur të bëjnë marrëveshje për bashkëqeverisje, ndërsa Kurti ka afat deri më 4 shkurt për ta prezantuar para Kuvendit kabinetin me të cilin mendon të qeverisë. Oferta e fundit e LDK-së ka qenë që VV-ja të heqë dorë nga posti i kryeparlamentarit, të cilin e mori më 26 dhjetor Glauk Konjufca, dhe në momentin e përzgjedhjes së presidentit pas një viti, LDK-ja të marrë postin e presidentit e kryeparlamentarin t’ia kthejë VV-së. Kjo nuk është pranuar nga VV-ja që në këmbim të pozitës së kryeparlamentarit i ka ofruar LDK-së një ministri më shumë.