Lajme

KKSH: Shqiptarët në Malin e Zi janë popull autokton, të cilët do të ruajn dhe shpalosin identitetin e vet kombëtar

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi – Tëpapranueshme veprimet e përsëritura të autoriteteve policore malazeze ndaj flamurit kombëtar të shqiptarëve.

Rasti i fundit, i ndodhur në festën tradicionale “Festa e Gështenjës” në Krajë, në të cilën është ndaluar dhe procesuar një shqiptar për shkak të shpalosjes së flamurit kombëtar, tregon qartë fytyrën e vërtetë të disa pjesëtarëve të autoriteteve policore malazeze, të cilët shfrytëzojnë rastet dhe hapësirat ligjore “kundërvënieve” (kolizionin) e ligjeve në Malin e Zi për të shprehur animuzitetin që kanë ndaj simboleve dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve.

Edhe pse shpalosja e simboleve, të cilat shprehin identitetin kombëtar të pakicave që jetojnë në Malin e Zi është e drejtë e garantuar në Kushtetutën e Malit të Zi, edhe pse Ligji aktual në fuqi për përdorimin e simboleve kombëtare e lejon përdorimin e lirë të simboleve në manifestime dhe organizime private, edhe pse Këshilli Kombëtar në dy raste në vitin 2012 dhe 2014 e ka informuar Ministrinë e Punëve të Brendshme të Malit të Zi hollësisht se cili është simboli, gjegjësisht flamuri kombëtar i shqiptarëve në Malin e Zi, për disa zyrtarë të policisë malazeze kjo shpalosje e identitetit krijon problem dhe këta zyrtarë e shfrytëzojnë nenin famëkeq 23 të Ligjit për rendin dhe qetësinë publike, sipas të cilit denohen personat që shpalosin simbolin e një shteti tjetër brenda Malit të Zi.