Shqipëri

Monika Kryemadhi nga Kamza bën thirrje: Ta rrëzojmë këtë qeveri

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi u bëri thirrje qytetarëve ti bashkohen protestave që do organizojë opozita.
Nga Kamza, ku mbajti një takim me stukuarat e LSI-së, Kryemadhi tha se “kemi nevojë për të përmbysur këtë sistemin që e ka kthyer vendin në diktaturën e krimit dhe drogës”.

“Banorët e Kamzës janë njëlloj Rama dhe deputetët që janë në Kuvend. Qytetarët e Kamzës nuk mund të kenë doktoratura si puna ime, por kanë një zemër të madhe. Le të fillojë organizmi i LSI për protestën e 16 shkurtit.
Të nisë nga kjo bashki që ka pasur revoltën kundër padrejtësive. Sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë për solidaritetit. Kemi nevojë për solidaritet njerëzor për të rrezuar këtë sitëm që grabit qytetarët dhe pasurohet duke vjedhur paratë e të varfërve.
Ky sistem që po e kthen vendin në diktaturë të krimit dhe të drogës. Prandaj ne nuk do të ndalemi. Në çdo qytetet të ngrihemi të gjithë ndaj këtij sistemi të kalbur që mbahet gjallë sepse janë shqiptarët e varfër. Opozita e bashkuar ka arsye për të mos u ndaluar”, u shpreh ajo.
Fjala e plotë e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi:
Faleminderit të gjithë juve që jeni sot në këtë sallë. Faleminderit djemve dhe vajzave që janë sot. Në fakt Bashkia e Kamzës është një bashki që në shumicën e rasteve, qeveria që është sot në pushtet, qeveria e Rilindjes e shikon si një periferi, sepse në Bashkinë e Kamzës 99.99% të banorëve të saj janë njerëz të cilët kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria, por kryesisht kanë ardhur nga Veriu i Shqipërisë, ku ka nga Kukësi dhe nga Dibra nga jam unë. Por të gjithë janë familje punëtorësh, janë familje që kanë lëvizur nga rrethet e tyre për një jetë më të mirë, që fëmijët e tyre të jenë më afër shkollës, të jenë më afër arsimimit, të kenë mundësi më të mëdha për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Dhe në fakt gjithmonë janë parë si njerëz të cilët janë kalimtarë, nuk i kanë parë asnjëherë me syrin si qytetar, nuk i kanë parë asnjëherë si njerëz të cilët janë të barabartë, sepse banorët e Kamzës janë njësoj siç është Monika në mes të Tiranës, janë njëlloj të barabartë siç është Edi Rama kryeministër i Shqipërisë, janë njëlloj si të gjithë ministrat apo deputetët që janë në Kuvendin e Shqipërisë. Ndoshta qytetarët e Kamzës mund të mos kenë diplomat e mëdha të shkollës, apo doktoratura si puna ime, por kanë një gjë ama, qytetarët e Kamzës kanë një zemër shumë të madhe dhe një mendje të ndritur, sepse gjithmonë dinë të vendosin drejtësinë në vend, dinë ti tregojnë kujtdo njeriu që kërkon ti grabisë apo ti mashtrojë të vërtetën dhe t’ia u kthejë mbrapsht haraçin që ata u marrin. Prandaj le të fillojë organizimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim për protestën e 16 shkurtit nga kjo bashki, që historikisht ka pasur në zemrën e saj jo protestën, por revoltën kundër çdo padrejtësie. Le të fillojmë nga kjo bashki dhe nga kjo sallë, me gjithë këto djem dhe këto vajza, për të sensibilizuar të rinjtë dhe të rejat, për të sensibilizuar studentët e Universitetit Bujqësor, për të sensibilizuar prindërit, familjarët, komshinjtë dhe shoqërinë. Për t’u zgjuar dhe për t’u revoltuar dhe për të përmbysur këtë lloj regjimi që grabit çdo ditë e më shumë shqiptarët.
Sot më shumë se kurrë, ne kemi nevojë për solidaritet. Jo solidaritet politik. Nuk kemi nevojë për solidaritetin tonë politik, por kemi nevojë për solidaritetin njerëzor. Kemi nevojë për ti dhënë dorën njëri-tjetrit, për ta rrëzuar këtë sistem, këtë sistem që grabit taksat e shqiptarëve, këtë sistem që burgos të varfrit, këtë sistem që pasuron të pasurit duke vjedhur paratë e të varfërve. Për të përmbysur këtë sistem që dënon të varfrin, për të pasuruar të pasurin. Këtë sistem që pasuron vetëm një njeri. Këtë sistem që po e kthen këtë vend edhe njëherë në diktaturë, jo në diktaturë komuniste, por në diktaturën e krimit dhe në diktaturën e drogës.
Prandaj ne nuk do të ndalemi asnjë minutë dhe asnjë sekondë, suke filluar që nga unë e para dhe jam e bindur që nga ju të gjithë që jeni këtu, në çdo qytet të Shqipërisë ku kemi lidhjet tona, për t’u ngritur të gjithë kundër këtij sistemi të kalbur, i cili mbahet akoma gjallë, sepse janë shqiptarët të varfër. Do të ngrihemi kundër këtij sistemi, i cili i mashtroi shqiptarët kur u tha se do të hapte 300 mijë vende pune, por përkundrazi , largoi 400 mijë shqiptarë nga vendi. Do të ngrihemi kundër këtij sistemi që i tha shqiptarëve që do t’ju ul çmimin e energjisë elektrike, por përkundrazi, e ngriti çmimin e energjisë elektrike dhe burgosi të varfërit që s’kishin mundësi për ta paguar. Do të ngrihemi kundër këtij sistemi që tha se do të kemi shëndetësi falas, por përkundrazi, rriti sigurimet shëndetësore për ti paguar shqiptarët nga pagat e tyre minimale dhe përveç kësaj, jo vetëm që nuk dha shëndetësi falas, por dha shëndetësinë më të shtrenjtë në rajon. Do të ngrihemi kundër këtij sistemi, i cili për hir të së vërtetës, jo vetëm që i grabit shqiptarët, jo vetëm që i varfëron ata, por i vjedh çdo ditë e më shumë. Kundër këtij sistemi që nuk respekton qytetarët e tij, kundër këtij sistemi që nuk respekton vendin e tij, kundër këtij sistemi që nuk respekton Kushtetutën e vendit të tij.
Ky sistem ka vetëm një emër edhe emri është i Edi Ramës, i cili ka marrë peng Partinë Socialiste, ka marrë peng qeverinë shqiptare, ka marrë peng Parlamentin shqiptar e tashmë do të marrë peng edhe të ardhmen e shqiptarëve. Vetëm të bashkuar ne mund t’i bëjmë ballë këtij.
Opozita e bashkuar, sot më shumë se kurrë, ka arsye për të mos u ndalur, sepse janë me qindra e mijëra studentë, që vërtet nuk bojkotojnë në klasat e universiteteve, por bojkotojnë bankën e universitetit të ashtuquajtur që kërkon ta marrë peng Edi Rama dhe grupi i tij. Janë me qindra e mijëra studentë, të cilët për arsye financiare nuk janë sot në bangat e shkollës, por kanë shokët e tyre heronj, që qëndrojnë me devotshmëri në ditën e 47-të të protestës së tyre kundër kësaj qeverie që kërkon t’i grabisë ata.
Do të protestojmë të gjithë së bashku për ata banorë të Unazës së Re, të cilët për hir të së vërtetës zbërthyen dhe zbuluan skemën më të madhe të vjedhjes që qeveria u bën shqiptarëve, se si vetëm me një tender kalojnë mbi 20 milion euro brenda ditës në xhepin e Edi Ramës, dhe se si vetëm me një firmë apo me një ëndërr të pikturave të tij, prishen mbi 1 mijë ndërtesa duke hedhur familjarët në mes të rrugës.
Prandaj kjo protestë bëhet për ata banorë të Unazës së Re, bëhet për studentët, për naftëtarët, për minatorët, për pensionistët, të cilëve pensioni nuk u del as për të paguar ilaçet e tyre e jo më të paguajnë dritat e ujin, çmimi i të cilave rritet çdo ditë.
Kjo protestë do të jetë për nxënësit e gjimnazeve të cilët kërcënohen çdo ditë nga mësues mediokër dhe kamikazë të qeverisë së Rilindjes. Kjo protestë do të bëhet për ata fëmijë shkollash, kopshtesh e çerdhesh, të cilët rrihen nga edukatorë makabër, sepse kanë paguar për të marrë vendin e tyre të punës. Kjo protestë do të bëhet për ata shoferë taksish, të cilët mezi mbajnë me bukë fëmijët e tyre, që iu hiqen licencat e punës dhe iu jepen oligarkëve për të krijuar kompanitë e tyre fiktive për të pastruar paratë. Kjo protestë do të bëhet për shoferët e autobusëve, të cilëve çdo ditë iu rritet çmimi i naftës, gjë që e bën të pamundur për ta të mbajnë linjat e tyre urbane në biznes. Kjo protestë do të bëhet për peshkatarët, për të gjithë ata të cilët çdo ditë e më shumë ndihen jo vetëm të frustruar e të zemëruar, por ndihen të shfrytëzuar në maksimum e nuk shikojnë më asnjë shpresë e asnjë të ardhme.
Prandaj motra dhe vëllezër ju bëj thirrje sot më shumë se kurrë, të gjithë së bashku kemi një mision, unë jam e bindur se siç del në sondazhet e BE, siç del në sondazhet e LSI-së dhe PD-së edhe në sondazhet e Rilindjes 90% e shqiptarëve duan të jenë anëtar të BE. Pra që ne të bëhemi anëtar të Bashkimit Europian duhet të bëjmë një proces shumë të rëndësishëm, i cili është hapja e negociatave, negociatat janë një nga arsyet më të rëndësishme, të cilat mbajnë sot në jetën politike dhe në jetën rajonale Shqipërinë gjallë.
Nëse këto negociata nuk do të hapen në qershor, nëse Shqipëria do ta humbi shansin e hapjes së negociatave, këtu nuk është më se kush është fajtori dhe kush është problemi, por këtu humbet e ardhmja e shqiptarëve, këtu nuk ka më kohë për të gjetur fajtor, tashmë fajtori e ka një emër dhe të gjithë e tregojmë me gisht, fajtori është Edi Rama për mos hapjen e negociatave.
Prandaj, vetëm largimi i këtij njeriu i hap shansin dhe mundësinë Shqipërinë për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të bërë dialogun politik, për ta rritur dhe për të ecur përpara me të gjitha reformat të cilat janë kapur dhe uzurpuar nga një njeri i vetëm. Këto negociata janë të mundshme jo për Edi Ramën, se ai as nuk i ka dashur dhe as nuk do ti dojë kurrë, këto negociata janë të domosdoshme, për shqiptarët janë jetike. Prandaj hapja e negociatave kërkon shqiptarët në shesh për të përmbysur këtë klikë grabitqare dhe kriminale dhe për ta kthyer Shqipërinë aty ku duhet të jetë, si gjithë shoqet e saj të tjera anëtare e BE-së, më evropiane se shqiptarët nuk janë të tjerët, o e meritojnë shqiptarët, o nuk e meriton asnjeri
Të ardhmen tonë dhe të fëmijëve të shqiptarëve nuk e merr dot peng një njeri, prandaj detyra jonë është, siç kemi edhe sloganin, ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë tonë. Të rrimë, të jetojmë e ta duam atë siç duam shtëpinë tonë, siç kujdesemi për shtëpinë tonë. Vetëm kështu mund të kthejmë djemtë dhe vajzat, të cilët janë larguar nga Shqipëria për një jetë më të mirë. Vetëm kështu duke kontribuar dhe për t’iu dhënë shansin atyre 400 mijë të rinjve e të rejave që të kthehen në Shqipëri, ne mund ta bëjmë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Evropian.
Nuk dua të zgjatem shumë, por dua të them edhe diçka. LSI në Bashkinë e Kamzës ka nga strukturat e saj më të mira për të gjithë Qarkun e Tiranës. Sfidat tuaja dhe tonat janë një, nuk kemi nevojë për rotacion politik, se sa kemi nevojë për tju dhënë qytetarëve, për tju dhënë të rinjve dhe të rejave shpresë që ky vend është një vend I begatë, është një vend që e ka bekuar Zoti dhe le ta bekojë Zoti me një klasë politike, që e do popullin e saj dhe me një klasë politike që e do vendin e saj. Zoti ju ruajt ju, familjet tuaja.