Shqipëri

“Rrëzimi i Ramës më 16 shkurt”, zbulohet ‘surpriza’ e protestës së opozitës

Mbledhja e Kryesisë së re të Partisë Demokratike ditën e djeshme prodhoi edhe një datë për protestën popullore të opozitës, ku do të kërkohet rrëzimi i qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Më 16 shkurt opozita e bashkuar do të mbushi sheshin, me një protestë që do t’i shërbejë për të testuar edhe elektoratin në prag të zgjedhjeve lokale, për të cilat nga kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi është theksuar se mund të jenë edhe parlamentare në të njëjtën kohë.

Duke folur për “Report TV” nënkryetari i Grupit të LSI, Petrit Vasili ka zbuluar disa nga detajet e kësaj proteste masive, duke theksuar se është PS që “ka si ‘simbol’ çadrën në Bulevard, ndërsa opozita ka përgatitur të tjerë elementë ‘surprizë’”.

“Jemi në kaos qeveritar. Po e çojnë vendin në greminë. Mijëra njerëz duan të ikin nga Shqipëria. Bllokimin e bulevardeve dhe ‘çadrën’ e ka simbol PS. Protesta do të jetë fundi i kësaj qeverie. Desha të vë në dukje standartin e PS. Nuk ka mundësi sot të zbardh detaje nga organizimi dhe surprizat e protestës. Po t’i zbuloj unë ato nuk janë më element surprizë të protestës. Data 16 kulmon me një pakënaqësi mbarëkombëtare. Fakti që kemi 200 mijë të larguar është një alarm. Esenca është më e rëndësishme se përmbajtja”, tha Vasili.

Vasili nuk pranoi të komentojë deklaratën e kryetarit të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, që i bëri sot thirrje opozitës të rikthehet në Kuvend për të bërë formësuar nëpërmjet diskutimit Reformën Zgjedhore, duke e cilësuar atë një “sharlatan”.

“Kur të ketë protestë nuk do të jemi në parlament, Shqipëria do të jetë në shesh. Ka vend më të madh, foltore më të madh se aq? Pse të komunikojmë përmes mediave kur ka mijëra qytetarë. Nuk komentoj asnjë shprehje të Taulant Ballës, që është një sharlatan”, deklaroi Vasili.