Meta: Vendimi i Kolegjit, truk procedurial, ligjërisht zgjedhje nuk ka
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka dalë në një konferencë për shtyp mëngjesin e së martës për të komentuar vendimin e Kolegjit Zgjedhor që u mor një ditë më parë. Sipas kreut të Shtetit, vendimi i Kolegjit Zgjedhor nuk e prek aspak dekretin e Presidentit të Republikës, por ai ka efekt vetëm kundrejt palëve në proces.
“Vendimi i Kolegjit ka të bëjë me marrëdhënien e partisë ankuese, aleate e PS dhe organizatës socialiste në KQZ që duan të bëjnë këtë proces zgjedhor. Në këtë proces, Kolegji nuk mund të shqyrtojë vlefshmërinë e dekretit sepse nuk ja njeh Kushtetuta. Është një truk procedurial për të justifikuar paligjshmërinë dhe një përpjekje për të ndërtuar një operacion propagandistik për të anatemuar vendimin e Kreut të Shtetit dhe nuk prek aspak dekretin Ky vendim është marrë nën shantazhin e mazhorancës”, deklaroi presidenti Meta.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës shtoi se zgjedhje në 30 qershor ligjërisht nuk do të ketë dhe nëse mbahen nuk do të plotësojë standardet.
“Zgjedhje të tilla nuk plotësojnë standardet e kritereve të Kopenhagenit dhe do të dënoheshin nga organizatat për të drejtat e njeriut. Nuk kam anuluar zgjedhjet në asnjë ambasadë, por në Republikën e Shqipërisë. Zgjedhje ligjërisht në Shqipëri në 30 qershor nuk ka dhe nuk do të ketë”, u shpreh presidenti.
Në fund të deklaratës Ilir Meta siguroi se do të qëndrojë në detyrë deri në fund të mandatit dhe se nga institucioni i Presidencës do të nisë ringritja e Republikës.