Lajme

Meta i del në mbështetje Haradinajt, sulmon Ramën

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë një konference për media, të mbajtur të dielën në mbrëmje, në prag të protestës që e ka thirrur për nesër në Tiranë, është ndalur edhe te “konflikti” Edi Rama – Ramush Haradinaj.

Kryeministri i Shqipërisë, Rama, gjatë ditës sulmoi sërish Haradinajn për taksën ndaj Serbisë, ndërkohë që ish-kryeministri kosovar ia ktheu me të njëjtën monedhë. Raportet e tyre janë prishur tash e sa kohë.

Meta i bëri thirrje Ramës që të mos e provokojë më ish-kryeministrin Haradinaj, ndërsa iu referua kryeministrit Rama si “gruaja e Bilalit”.

“Gruaja e Bilalit e ka kaluar me kohë kufirin, po provokon Haradinajn. Gruaja e Bilalit mbështeti i pari taksën me Serbinë 100%. I bëj thirrje të mos e provokojë më Haradinajn, ai është një hero i gjallë. Të mos merret më me Haradinajn dhe familjen e tij, ai ka para oborrit 40 varre. Familja e Haradinajt ka dhënë jetën për atdheun. Ne nuk mund të pranojmë lojëra të tilla, përçarëse e provokuese”, tha Meta, njofton KP-ja.

Presidenti Meta ka thirrur për të hënën protestë, siç ka thënë ai, për mbrojtje të Kushtetutës.

Partia Demokratikë e Shqipërisë ka mbështetur protestën.