Mali i Zi kundër mini-shengenit ballkanik – “Është humbje kohe”
Ministrja e Ekonomisë në Mal të Zi, Dragica, Sekuliç, ka thënë të hënën se iniciativa “mini-shengen” do të ishte një humbje energjie dhe se vendi i saj ka kohë tashmë që i ka “hapur kufinjtë” dhe ka hequr barrierat tregtare për fqinjët e saj.
Ajo shtoi se Mali i Zi është anëtar i CEFTA’s, Marrëveshjeves për Tregti të Lirë në Europën Qendrore, një iniciativë që garanton qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave në Ballkanin Perëndimor.
“Unë i kuptoj iniciatorët. Këto janë vende që, për shkak të barrierave të ndryshme tregtare që i kanë vendosur njëri tjetrit, ndoshta kanë nevojë për iniciativë të re për të bërë atë që e ne e kemi bërë prej kohësh”, tha ajo.
Ajo gjithashtu shtoi se qytetarët e Malit të Zi kanë të drejtë të udhëtojnë në çdo vend të rajonit, përveç Kroacisë, duke përdorur vetëm kartat e tyre të identitetit.
Ndryshe, Samiti i Ohrit është një nismë e kryeministrave të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore, Edi Rama dhe Zoran Zaev, së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Kjo është një nismë që ka për qëllim krijimin e një zone të përbashkët ekonomike ku do të kishte qarkullim pa barriera të mallrave, shërbimeve, qytetarëve dhe kapitalit.
Kjo iniciativë erdhi disa ditë pasi presidenti i Francës, Emmanuel Macron, bllokoi hapjen e negociatave për Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë.
Shtetet tjera të Ballkanit Perëndimorë nuk kanë pranuar të përfshihen në këtë iniciativë, duke thënë se rruga e vetme përpara është integrimi në BE.