Lajme

Përse duhen mirënjohje për organizatorët e referendumit në Luginën e Preshevës

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, ditë më parë ka ndarë mirënjohje për organizatorët e referendumit të vitit 1992 në Luginën e Preshevës. Në këtë referendum, që Serbia e konsideron jolegjitim, banorët e atjeshëm ishin përgjigjur me një shumicë dërrmuese se duan autonomi politike e territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën.

Mirëpo, kjo ndarje e mirënjohjeve nga ana e Ragmi Mustafës, 27 vjet pas këtij referendumi, ka ngjallur reagimin e zyrtarëve serbë, të cilët kanë thënë se ky veprim nuk ka asnjë lidhje me qëllimet e Këshillit Kombëtar të shqiptarëve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencë për media me liderët e Luginës së Preshevës

Në anën tjetër, kreu i këtij Këshilli, Ragmi Mustafa, pohon se kjo është vetëm një mirënjohje për njerëzit që sollën demokracinë në komunitetin shqiptar dhe se ai kundërshton pretendimet se ky është një veprim i politik.

“Këshilli Kombëtar Shqiptar ka ndarë mirënjohje për organizatorët e referendumit të vitit 1992 pasi kjo është trashëgimia jonë politike, kulturore dhe e identitetit”, thotë Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës.

“Mendojnë se atëherë në Jugosllavi, kur u bë braktisja e sistemit monist,dhe kur organizimi i shoqërive pluraliste ka qenë shumë i vështirë, njerëzit kanë punuar në atë drejtim që të sjellin demokraci në komunitetin shqiptar, dhe kështu krijuan orientimin politik të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Këshilli Kombëtar Shqiptar ka dashur vetëm të njohë punën e tyre dhe angazhimin, si dhe të shprehë respekt për trashëgiminë tonë”, shton ai.