Lufta kundër racizmit, në Norvegji do të shpërndahen 10.000 kopje të Kuranit
Shoqatat muslimane të Norvegjisë njoftuan se do të shpërndajnë 10.000 kopje të Kuranit me përkthim në gjuhën norvegjeze në përpjekje për të luftuar racizmin dhe urrejtjen.
“Ne duam t’u përgjigjemi veprimeve negative duke përhapur dashuri dhe njohuri siç mëson Kurani i Shenjtë”, tha Shoqata e Arteve dhe Kulturës Muslimane
Fushata do të jetë një bashkëpunim me Shoqatën e Letërsisë Islame dhe Xhaminë Minhaj-ul-Kuran, njoftoi Shoqata Norvegjeze e Arteve dhe Kulturës Muslimane.
Vendimi erdhi pasi një grup ekstrem i krahut të djathtë u përpoq të digjte një kopje të librit të shenjtë musliman gjatë një proteste në Kristiansand, qytet i populluar me migrantë.
Anëtarët e grupit “Stop islamizimit të Norvegjisë” (SION) ishin penguar nga policia, megjithatë, udhëheqësi i grupit hodhi Kuranin në mbeturina.
Turqia, Pakistani dhe Irani reaguan ashpër ndaj incidentit të 16 nëntorit duke lëshuar reagime zyrtare.
“Ne duam t’u përgjigjemi veprimeve negative duke përhapur dashuri dhe njohuri siç mëson Kurani i Shenjtë”, tha Shoqata e Arteve dhe Kulturës Muslimane në një deklaratë.
Ndërkohë, ambasadori i Turqisë në Oslo, Fazlı Çorman, tha për AA se zyra e tij ndjek nga afër zhvillimet që kanë të bëjnë me mirëqenien e komunitetit musliman të Norvegjisë.
Çorman tha se pak para incidentit në Kristiansand, ministri i Drejtësisë dhe Imigracionit Joran Kallmyr kishte deklaruar se djegia e Kuranit konsiderohet liri e fjalës dhe i kishte thënë policisë që të mos ndalojë djegien e librit të shenjtë të muslimanëve.
Pas reagimeve nga komuniteti musliman, Kallmyr zhvilloi një takim me Këshillin Islam të Norvegjisë.
“Ministri Kallmyr, i cili u takua dje me përfaqësuesit e Këshillit Islam, tha se Norvegjia është distancuar nga organizatat antislame dhe se nuk ofron ndonjë mbështetje për këtë organizatë”, tha Corman.
Kallmyr ka shtuar se siguria e komunitetit musliman të Norvegjisë është po aq e rëndësishme sa ajo e qytetarëve norvegjezë