Lajme

Thaçi: Paqja dhe pajtimi nuk mund të ndërtohet duke mohuar krimet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që duke i dal në mbrojtje Igor Todosijeviqit, mohoi edhe njëherë krimin e ndodhur në Reçak të Shtimes.

“Shoh zyrtarë nga Serbia që mohojnë disa nga krimet më të këqija kundër civilëve që ndodhën në Evropë, si në Reçak, të konfirmuara nga Tribunali Ndërkombëtar në Hagë”, shkroi Thaçi në një postim në rrjetin social Twitter.

“Politikat gjenocidale serbe nuk mund të mbrohen. Ata duhet të denoncohen. Paqja, pajtimi, drejtësia nuk mund të ndërtohet bazuar në mohimin e krimeve”, ka thënë Thaçi më tej.

Gjatë ditës për deklaratat e Vuçiqit reagoi edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai tha se “Serbia edhe në formë institucionale e ruan paturpësisht mendësinë kriminale të trashëguar nga koha e Millosheviqit”.

Sipas tij, “urrejtja patologjike e Vuçiqit ndaj shqiptarëve, po dëshmohet edhe me deklarimin e tij të fundit, se masakra e Reçakut e cila tronditi mbarë botën në vitin 1999 është e fabrikuar”.

Kreu i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, i është përgjigjur po ashtu presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për masakrën e Reçakut të cilin ai e quajti fabrikim ndërkaq ambasadorin William Walker hopshtapler e mashtrues.