Lajme

Lehne: Ndryshimi i kufijve të Serbisë e Kosovës nuk përjashtohet

Personalisht mendoj se çdo zgjidhje e cila do të çojë në ndryshimin e kufijve është e vështirë dhe e komplikuar, por në tërësi nuk do ta përjashtoja, e tëra varet nga garancionet e dhëna nga të dy palët, ka thënë Stefan Lehne, ish-drejtor i përgjithshëm i Sekretariatit për Ballkanin Perëndimor në Këshillin e BE-së, diplomat shumëvjeçar austriak, tash ekspert i Carnegie Europe për Bruksel e BE, transmeton Ministria Lajmeve.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë i pyetur se si do të jetë reagimi përfundimtar i BE-së, meqë e tërë BE-ja nuk ka mendim të njëjtë rreth çështjes së ndryshimit të kufijve dhe këmbimit të territoreve dhe se ky proces sigurisht nuk do të përfundojë deri në fund të mandatit të tij Komisioni, Lehne ka thënë se është e kuptueshme se ndryshimi i kufijve është gjithmonë problematik dhe është e kuptueshme se disa shtet janë shumë skeptike rreth kësaj çështjeje. “Nga ana tjetër, palët në këtë dialog janë Prishtina e Beogradi dhe mendoj se bashkësia ndërkombëtare po e përcjell me vëmendje çdo vendim të cilin do ta prodhojë dialogu. Por unë besoj se sidomos në Kosovë mendimet janë shumë të ndarë dhe është shumë e qartë se në cilin drejtim janë pozicionet e kryeministrit (Ramush Haradianj) nga njëra anë dhe e presidentit (Hashim Thaçi) nga ana tjetër. Mendoj se nuk ka një qëndrim koherent të Prishtinës për atë se si të bëhet avancim në dialogun e të dy palëve”, ka thënë Lehne. Lehne ka thënë se ndonëse BE-ja po ballafaqohet me probleme të mëdha të brendshme dhe sprova dhe se procesi i anëtarësimit është i humbur. “Mendoj se kjo është bukur evidente. Por, mendoj se as Ballkani Perëndimor e as BE-ja nuk kanë strategji alternative. Premtimet nga samiti në Selanik (2003) se në fund këto vende do të bëhen anëtare të BE-së nuk do të ndryshojë. Por të bësh diçka që procesi të ecën përpara kërkon vëmendje të madhe të liderëve kryesorë të BE-së. Tash BE po ballafaqohet. do të thoja, me tri vendime të rëndësishme në disa muaj në vazhdim, e këto janë: fillimi i bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë Veriore, me Shqipërinë dhe liberalizimi i vizave me Kosovën. Mendoj se ky është test i kredibilitetit të BE-së ndaj regjionit dhe shpresoj se këto vendime do të merren, sepse kjo do të jetë shenjë se këto vende vërtet mund t’i bashkohen BE-së”, ka thënë Lehne për Radion Evropa e Lirë.