Lajm i mirë nga Kroacia, në Osijek do të hapet shkolla e mesme në gjuhën shqipe
Në qytetin Osijek dhe në rrethinën e tij funksionojnë disa shkolla fillore në gjuhën shqipe. Janë këto vatra arsimore në të cilat ruhet identiteti kulturor dhe kombëtar i fëmijëve të bashkëkombësve tanë që jetojnë dhe punojnë atje.
Komuniteti shqiptar është në mesin e komuniteteve mjaft të respektuara dhe të pranuara zyrtarisht në Kroaci. Ky respekt është rezultat i sakrificës që kanë bërë shqiptarët në luftën për mbrojtjen e Kroacisë nga agresioni i Armatës Jugosllave dhe serbe në fillim të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar. Njëri ndër shumë shqiptarët që i është bashkuar luftës kroate kundër agresionit serb, ka qenë gjeneral Esat Çollaku, epror i Ushtrisë kroate dhe gjeneral në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Aktualisht ai është kryetar i Bashkësisë Shqiptare në Kroaci. Shqiptarët e Kroacisë janë të përfaqësuar politikisht në dy shkallët e pushtetit lokal, por edhe në Parlamentin kroat, përmes deputetes Ermina Lekaj- Përnaskaj.
Në Kroaci jetojnë mbi 30 mijë shqiptarë, por numri real është diku 40 mijë, sepse një pjesë e tyre deklarohen si boshnjakë ose kroatë. Bashkësia Shqiptare në këtë vend ka filluar aktivitete intensive që këta shqiptarë, që konsiderohen të jenë 7 mijë, të regjistrohen sërish si më parë dhe zyrtarisht t’i rikthehen trungut kombëtar.