Lajme

Lajçak: Zgjidhja mes Kosovës dhe Serbisë, një kompromis i dhimbshëm

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nuk është i lehtë dhe se zgjidhja do të jetë një “kompromis i dhimbshëm”.

“Për këtë arsye po përpiqemi që të arrijmë tre qëllime në të njëjtën kohë – së pari, për të normalizuar të dy palët, së dyti, për të ndërtuar procese dhe zgjidhje të ardhshme bazuar në normat dhe vlerat evropiane dhe së treti, për të kontribuar në stabilitetin rajonal. Ky nuk është proces i lehtë. Zgjidhja do të jetë një kompromis i dhimbshëm, por unë mendoj se është e mundur, dhe padyshim që ia vlen ”, theksoi Lajçak.

Këto komente Lajçak i bëri në Forumin për Siguri të Beogradit, që këtë vit u organizua virutalisht. Në të, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq shprehën pikëpamje të ndryshme, sa i përket mënyrës se si të dyja shtetet mund të arrijnë deri te një marrëveshje përfundimtare.

Tema e këtij forumi ishte “Beogradi-Prishtina: Pa besim nuk ka zgjidhje”.

Lajçak tha se procesi i dialogut duhet të sjellë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, paqe të qëndrueshme dhe prosperitet.

“Prandaj, vërtetë shpresoj se do t’ia dalim sepse është në interesin e çdo qytetari të Serbisë dhe Kosovës dhe gjithashtu është e rëndësishme për BE-në dhe SHBA”, tha ai.

Zyrtari i BE-së tha po ashtu se nuk mund të arrihet paqe e qëndrueshme nëse nuk ka besim mes partnerëve.

Ai tha se që të ndërtohet besimi “ne duhet të marrim parasysh të kaluarën tragjike të rajonit”, e cila sipas tij, po errëson realitetin e sotëm.

“Që të gjithë ne duhet ta bëjmë pjesën tonë për ta zbardhur të vërtetën e plotë dhe për të marrë përsipër pasojat, pa marrë parasysh se sa e dhimbshme mund të jetë kjo. Por, e kaluara duhet të adresohet dhe të procedohet nga ekspertët e fushës, kryesisht të gjyqësorit dhe historisë. Kjo nuk është punë e politikanëve”, tha Lajçak.