LajmeTë fundit

Fillon renovimi i Shkollës fillore: “Prof Ibrahim Kelmendi”

Pas përfundimit të vitit shkollor, tashmë ka filluar realizimi i projektit të renovimit të përgjithshëm të objektit të shkollës fillore, përfshirë edhe sallën e edukatës fizike, si dhe objektet tjera përreth.

Në kuadër të projektit parashihet një mori punimesh, që nga dyshemetë, instalimet elektrike, të ujit dhe kanalizimit, ngrohjes etj., pastaj lyerjet e suvatimet sipas nevojës, hidroizolimet e termoizolimet me qëllim të plotësimit të kushteve të efikasitetit energjetik.

Përmes këtij projekti, nxënësit e shkollës kryesore të komunës sonë, do të pajisen me infrastrukturë shkollore moderne.

Kjo formë e intervenimit të tërësishëm nuk ka ndodhur asnjëherë që nga ndërtimi i kësaj shkolle para rreth gjysmë shekulli më parë.

Ky projekt financohet nga Zyra për Investime Publike, ndërsa tashmë janë në përfundim e sipër edhe dy shkollat tjera në komunën tonë, si Gjimnazi “Skënderbeu” dhe objekti i shkollës fillore “Vuk Karaxhiq” në Stacionin Hekurudhor.

Fillimi i punimeve në shkollën fillore “Prof Ibrahim Kelmendi” ka stagnuar për shkak të problemeve dhe mangësive në projekt-dokumentacionin teknik, ku tashmë janë bërë të gjitha plotësimet e ndryshimet e nevojshme për t’i filluar punimet në këtë objekt kaq me rëndësi për komunën tonë dhe arsimin Shqip në Luginë.