Lajçak për ‘marrëveshjen sekrete’ Kosovë-Serbi: S’e kam parë një marrëveshje të tillë
Kryeministri në detyrë Albin Kurti e tha në Kuvend që dyshon se ka një marrëveshje sekrete të gatshme Kosovë-Serbi, e cila pritet vetëm të nënshkruhet nga të dyja palët. I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se ai nuk e ka parë dhe nuk ka dëgjuar asnjëherë për një marrëveshje të tillë.
“Nuk dua të spekuloj, unë kurrë nuk e bëj këtë. Unë nuk kam parë një marrëveshje të tillë dhe askush nuk më ka thënë se ka një marrëveshje të tillë. Unë punoj me fakte, ne kemi një agjendë të qartë përpara, kemi një dialog, e dimë se cili është qëllimi ynë, kështu që ua lë spekulimet tjerëve… Unë jam i fokusuar plotësisht në atë që kam përpara, e që është dialogu, që është mandati im”, tha Lajçak në Rubikon të Klan Kosovës.
Emisari i BE-së për dialogun ka treguar nëse do të ketë masa nga Bashkimi Evropian kundrejt Serbisë e cila po e vazhdon kampanjën e saj për ç’njohje të pavarësisë së Kosovës.
“Bashkimi Evropian e ka bërë shumë të qartë se pret nga të dyja palët të përmbahen nga çdo aktivitet i cili ka potencial ta përkeqësojë atmosferën. Ne duam ta krijojmë një atmosferë të favorshme për një rezultat pozitiv të dialogut dhe këto janë pritshmëritë tona”.
Por, për sa kohë Miroslav Lajçak do të jetë në këtë post?
“Jam emëruar që të jem përfaqësues special nga 2 prilli 2020 deri me 1 mars 2021, por kontrata mund të vazhdohet. Kontrata ime do të zgjasë aq sa të zgjasë mandati kështu që mund të jetë me e shkurtë, por mund të jetë edhe më e gjatë. Përsëri e them që datat nuk janë të rëndësishme, ajo që është e rëndësishme është rezultati i punës sonë”.
Ai ka treguar edhe nëse është realiste që të ketë pritshmëri që të arrihet një marrëveshje finale në mes të dy palëve deri në mars të vitit të ardhshëm.
“Është realiste të pritet që të ketë një marrëveshje finale, është realiste të pritet që të ketë njëmarrëveshje të mirë, një marrëveshje që do të ndihmojë Kosovën e Serbinë në rrugën drejt BE-së, një marrëveshje të mirë për rajonin, një marrëveshje që do të përmirësojë jetën e qytetarëve në Kosovë. Se a do të ndodhë në shkurt, mars apo prill, nuk ka shumë rëndësi. Ajo që ka rëndësi është kualiteti i saj”, tha Lajçak.