Lajme

Kusari-Lila: Reciprociteti e kthen në binarë dialogun dhe ndal fushatën e çnjohjeve nga Serbia

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka folur për masën e reciprocitetit ndaj Serbisë që pritet të vihet nga qeverisja me Albin Kurtin. Ajo thotë se reciprociteti do të kthente në binarë normal raportin e dialogut Kosovë-Serbi e gjithashtu, shteti serb do të ndalte fushatën e çnjohjeve të Kosovës.

Kusari-Lila në një intervistë të shkurtër për Koha.net thotë se reciprociteti është më efikas sesa taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe, sepse ballafaqon shtetin serb me masat e njëjta që ajo i aplikon në Kosovë.

“Reciprociteti është më efikas pasi ballafaqon Serbinë me masat e njëjta të cilat ajo i aplikon ndaj Kosovës si dhe heq presionin e bashkësisë ndërkombëtare nga Kosova dhe e zhvendos atë tek Serbia si shtet me agjendë proaktive dhe destruktive ndaj Kosovës”, tha Kusari-Lila.

Ajo e ka kujtuar masën e reciprocitetit që ia kishte vënë mallrave serbe në mandatin e saj si Ministre e Tregtisë. Porse këtë masë, ajo e kishte vënë kryesisht në aspektin tregtar, dhe thekson se me qeverinë e re, që udhëhiqet nga Albin Kurti, masa e reciprocitetit zgjerohet.

“Reciprociteti i vendosur në kohën kur isha Ministre e Tregtisë dhe Industrisë kishte objektiv njohjen e vulave të doganave të Kosovës nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Dmth, ishin kryesisht të karakterit tregtar dhe lëvizjes së lirë të mallrave. Ndërsa, nga Qeveria Kurti, reciprociteti zgjerohet edhe në masat e gjëra ekonomike, politike dhe ato të lëvizjes së lirë të njerëzve, fushën e arsimit dhe në të gjitha fushat e jetës ku Serbia cenon të drejtën e Kosovës dhe qytetarëve të saj”, tha Kusari-Lila për Koha.net.

Tutje, ajo thotë se kjo masë, do ta kthente në binarë normal raportin e dialogut Kosovë-Serbi, e do të ndalte fushatën e çnjohjeve të Kosovës nga ana e këtij shteti.

“Nuk e mendoj se Serbia do ta njoh Kosovën me taksë, por as me reciprocitet. Reciprociteti vetëm se kthen në binarët normal raportin e dialogut, ndal fushatën e Serbisë dhe në rrethana të bazuara nga përvoja paraprake, do të shtyjë Serbinë të filloj zbatimin e marrëveshjeve të pazbatuara, por të nënshkruara në Bruksel. Përmes zbatimit të marrëveshjes dhe shtimit të temave të patrajtuara deri më tani në procesin e dialogut me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së, atëherë mund të parashikojmë njohjen apo hyrjen në fazën e njohjes së Kosovës nga Serbia”, tha Kusari-Lila.

Tutje, ajo thotë se reciprociteti si parim, duhet të jetë në fuqi përderisa të ketë sjellje diskriminuese të Serbisë ndaj Kosovës.

Kusari-Lila, ka folur edhe për punën e saj si deputete e legjislaturës së shtatë në Kuvendin e Kosovës nga radhës e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në legjislaturën e shtatë do të vazhdoj punën për fuqizimin ekonomik të grave, do të punoj në mbikëqyrje të ligjeve të miratuara deri më tani dhe në propozimin e ligjeve të reja të cilat do të ndikojnë në krijimin e një klime më të favorshme të biznesit dhe stimulimin e sektorit privat”, tha Kusari-Lila.

Deputetja Kusari-Lila tha gjithashtu se nga qeverisja Kurti, nuk do të zhgënjehen qytetarët, derisa shton se do të marrë kohë derisa të bëhet një reformë e thellë.

“Jam thellësisht e bindur se Qeveria Kurti do të jetë një formë e re e paparë e qeverisjes në Kosovë. Duke e ditur jetën institucionale dhe procesin e reformave, unë pritjet i kam më të moderuara, dmth e di se do të duhet kohë pak më shumë për reformë të thellë, por jam e bindur se është qeverisje e cila nuk do të zhgënjejë dhe do të prezantoj një standard të ri të menaxhimit të shtetit”, u shpreh ajo për Koha.net.

Pas pak ditësh Kosova mbush 12 vjet shtet. Kusari-Lila, metaforikisht i ka vlerësuar për Kosovën këto vite.

“12 vjeçari Kosovar, ka pasur një vetëtimë ndriçuese dhe përnjëherë gjatë vitit të kaluar e ka kristalizuar idenë se cili është rrugëtimi i tij/saj jetësor. Është tani një 12 vjeçar/e i/e talentuar i/e cili/a ka vendosur të punojë dhe angazhohet që ai talent të përkthehet në sukses çfarë nuk e kanë parë tjerët më parë”, përfundoi ajo.