Kurti thotë se taksën 100% do ta zëvendësojë me reciprocitet të plotë
Reciprocitet të plotë ndaj Serbisë ka paralajmëruar kryeministri Albin Kurti.
Në ditën e dytë të punës si shef i ekzekutivit, Kurti ka thënë se taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe do të zëvendësohet me reciprocitet, raporton KTV.
Këtë qëndrim Kurti e ka dhënë pas takimit me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Ndërkaq, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se mirëpret bashkëpunimin me Kurtin, derisa ka shtuar se pret ide të reja nga ai për rinisjen e dialogut me Serbinë.
“Konsiderojmë që taksa ka shkelur bashkëpunimin ndërkombëtar dhe marrëveshjet e tjera, si CEFTA, anëtare e së cilës është Kosova. Tani po presim që Qeveria e re të dalë me propozime dhe ide të reja se si do ta trajtojë këtë çështje. Nuk dëshirojmë të parashohim se cila do të jetë zgjidhja. Vetëm dëshirojmë që këto bisedime të vazhdojnë, në mënyrë që për ne është e rëndësishme, që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të fillojë”, tha Apostolova.
Kryeministri Kurti ka paralajmëruar rishqyrtim të të gjitha vendimeve të Qeverisë së kaluar në detyrë, në mesin e tyre edhe emërimet në krye të Agjencisë së Inteligjencës.
Edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka takuar shefen e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova.
Kryeparlamentarja Osmani ka thënë se është pjesë e marrëveshjes së koalicionit me Vetëvendosjen që të bëhet rishikimi i të gjitha vendimeve të Qeverisë së kaluar në detyrë.
Kreshnik Gashi u emërua drejtor i AKI-së më 25 nëntor të vitit të kaluar, ndërkaq, Burim Ramadani, duke qenë anëtar i AAK-së, u emërua kryeinspektor i AKI-së.