Të fundit

Gjuriq: Albin Kurti e dëshiron kapitullimin poshtërues të Serbisë!

I ashtuquajturi drejtor i zyrës serbe për Kosovë Marko Gjuriq në një konferencë për media në Beograd ka deklaruar se “kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk dëshiron asnjë marrëveshje me Serbinë, por vetëm kapitullimin e saj në mënyrë poshtëruese”, gjë që, sipas tij, “nuk do të ndodhë kurrë”.

Ai ka komentuar intervistën e fundit të Kurtit për RTK, duke thënë se “Albin Kurti me fjalët e tij mbrëmë ka dëshmuar se nuk dëshiron asnjë marrëveshje me Serbinë, dhe as nuk dëshiron bisedë të vërtetë, por e vetmja gjë që ai dëshiron është kapitullimi poshtërues i Serbisë”, tha Gjuriq për mediat serbe, raporton Ministrialajmeve.

Ai ka shtuar se qytetarët e Serbisë duhet të dinë se “ai dëshiron kapitullimin poshtërues i të Serbisë, jashtë çdo dyshimi, kjo nuk duhet fshehur sepse fatkeqësisht është poashtu edhe dëshira e disa mentorëve të tij ndërkombëtarë të cilët e kanë përkrahur Kurtin për të ardhur në krye të Qeverisë së institucioneve të përkohshme”.

“Edhe ata nga jashtë edhe ata nga brenda duhet ta dinë këtë, se derisa e kemi presidentin tonë Aleksandar Vuçiq dhe tërë popullin serb të bashkuar, kjo kurrë nuk do të ndodhë” tha Gjuriq.

Kurti mbrëmë në një intervistë për RTK mes tjerash kishte deklaruar se nuk mund të ketë marrëveshje me Serbinë, nëse qasja e saj në negociata vazhdon të jetë se “edhe ajo duhet të fitojë diçka”.Ministrialajmeve.com