Lajme

Kurti: Preokupimi im nuk është java e kaluar politike, por java e ardhshme shëndetësore

“Pastërti, distancë, në shtëpi”.

Ky ka qenë apeli që kryeministri Albin Kurti e ka bërë disa herë për qytetarët gjatë konferencës pasditen e së shtunës lidhur me mbrojtjen nga virusi COVID 19.

Kurti ka kërkuar kujdes të shtuar, marrë parasysh paralajmërimet se dy javët e ardhshme mund të sjellin përhapjen më të madhe të virusit, raporton KOHA.

Kurti ka deklaruar se nuk ka takuar asnjë nga liderët e partive për çështjen e rrëzimit të qeverisë që ai udhëheq.

Krizës shëndetësore, sipas Kurtit, nuk duhet t’i shtohet edhe ajo politike.

“Preokupimi im nuk është java e kaluar politike, por java e ardhshme shëndetësore”, tha ai.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se 122 respiratorëve që aktualisht janë në dispozicion, pritet t’u shtohen edhe 50 të tillë.

Një tjetër thirrje Vitia e ka pasur për mërgimtarët, nga të cilët ka kërkuar të mos vijnë në atdhe, përveç rasteve urgjente.

Kryeministri ka paralajmëruar se së shpejti komunikimin me gazetarët do ta bëjnë përmes telefonit dhe internetit, për të shmangur rrezikun e përhapjes së virusit.