Kurti përjashton kolacion me Listën Serbe, por do të respektojë Kushtetutën që të jenë në qeveri
Albin Kurti, fituesi i zgjedhjeve parlamentare në Kosovë dhe kandidat për kryeministër i qeverisë së re u shpreh në një intervistë për Report Tv (të Tiranës) se është kundër iniciativës së bashkëpunimit rajonal të Shengenit Ballkanik në këtë formë që po krijohet.
Ai e cilësoi si të gabueshme dhe e pashpjegueshme ngutjen që me doemos të mbahej tani kjo mbledhje në Ohër, kur dihej se Kosova nuk do të merrte pjesë. Sipas tij, Kosova dhe Shqipëria më parë duhet të heqin barrierat mes tyre dhe më pas të mendojnë për nismat rajonale, ku kërkoi më tej që të ketë një politikë të përbashkët. “Ne nuk mund të flasim me të tretët pa u marrë vesh më parë mes veti. As Tirana dhe as Prishtina nuk bën të shkojnë në nisma rajonale pa folur më parë me njëra tjetrën. Nuk ma ka marrë mendja se do të mbahet mbledhja e Ohrit pa Kosovën, pas asaj që ndodhi në Serbi”.
E ndërsa u ndal edhe njëherë te biseda me Edi Ramën pak javë më parë në Tiranë, Kurti deklaroi se si kryeministër i ardhshëm i Kosovës parësore do të ketë forcimin e marrëdhënieve me Shqipërinë duke vendosur edhe disa piketa. “Përveç komisioneve të përbashkëta, është mirë të kemi edhe regjistrin e përbashkët civil dhe të biznesit. Pajtohem për sistemin energjetik të përbashkët KESH dhe KEK”. Ndërkohë që ironizoi propozimin e kryeministrit Rama për një ministër shteti të përbashkët? “Në 10-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kryeministri Rama propozoi një president të përbashkët, ajo u harrua, tani ramë te ministri i shtetit dhe tani kjo po harrohet edhe më shpejt. Daullet i kanë marrë Lorik Cana dhe Rita Ora, duhet të shkojmë përtej atyre, prej nesh priten plane, punë dhe buxhet”.
Përsa i përket taksës së mallrave me Serbinë, Kurti ritheksoi se do të hiqet dhe do të zëvendësohet me reciprocitet. Po çfarë do të thotë kjo? “Serbia ka nevojë të ndryshojë Kushtetutën e saj për heqjen e Kosovës. Unë dua reciprocitetin. Nëse një serb me diplomë në Nish apo Beograd vjen punon në Graçanicë, pse një djalë nga Presheva që diplomohet në Prishtinë të mos japë mësim në Preshevë? Ky parim është oferta ime për Serbinë dhe parim i reciprocitetit është kriteri normal” tha ai. Gjatë intervistës Kurti foli edhe për shumë cështje të tjera.
I pyetur nëse posti i Presidentit pjesë e negociatave me LDK-në, Kurti u përgjigj se ‘Nuk kemi pasur një kërkesë të tillë. Ulëset e ministrave dhe kryeministrit janë të zbrazëta, po na presin ne. Po humbim kohën e çmuar, sa i përket presidentit, aty është një njeri njëherë. Nuk ka kuptim të flitet tani. Unë nuk besoj se duhet të hapim çështjen e presidentit pa u marrë vesh për qeverinë. Ne na takon ta zhvillojmë bisedën edhe për presidentin, po jo në këtë fazë”.
Albin Kurti u shpreh se serbët e Kosovës po përdoren nga Beogradi kundër Prishtinës. Ai tha se partisë Lista Serbe nuk ia ka nevojën për koalicion, por do të gjejë një mënyrë për përfshirjen në qeveri si obligim kushtetues.
“Ata (serbët në Kosovë) nuk i duan as në Serbi, më shumë i përdor Beogradi të mos ecë Kosova përpara. Kur kam qenë në burg, serbët e Kosovës i merrnin si gardianë dhe i quanin shkiptari, term pezhorativ. Serbët e Kosovës Beogradi nuk i do dhe është në panik. Ata në kohën e Thaçit mbajtën referendum, dhanë dorëheqje shkuan në zgjedhje, prapë vijnë në takime. Ata e dinë se në Serbi mund të shkosh nëse ke një shtëpi rezervë, por në të kundërt jo.
Unë besoj se edhe Lista Serbe është e shantazhuar nga Vuçiq, e vranë Oliver Ivanovicin. Duhet të kem marrëveshje me LDK-në dhe 10 deputetët e pakicave jo serbe dhe në fund do të gjejmë ndonjë mënyrë për ta përmbushur Kushtetutën por për koalicion politik nuk ua kemi nevojën. Ne nuk do të na varet qeveria nga Lista Serbe, por obligim kushtetues do ta gjejmë” tha ai.
Me marrjen e drejtimit të qeverisë, Albin Kurti u shpreh se do të heqë taksën 100% të produkteve serbe në Kosovë duke vendosur reciprocitet ekonomik, politik dhe tregtar. “Tarifa 100% zëvendësohet me reciprocitet. Nuk e di kur por qeveria jonë do të jetë e përbërë nga Vetëvendosje dhe LDK-ja, ne do të vendosim dhe kur do ta vendosim do ta heqim, do të përpiqemi sa më shpejt” theksoi ai.
Por cfarë do të thotë reciprocitet? “Serbia ka nevojë të ndryshojë Kushtetutën e saj për heqjen e Kosovës. Unë dua reciprocitetin. Këshillin Kombëtar Nacional nëse serbët e duan në Kosovë, t’ua lejojnë shqiptarëve në Preshevë. Nëse një serb me diplomë në Nish apo Beograd vjen punon në Grashanicë, pse një djalë nga Presheva që diplomohet në Prishtinë të mos japë mësim në Preshevë? Ky parim është oferta ime për Serbinë dhe parim i reciprocitetit është kriteri normal” tha ai.
Kreu i Vetëvendosjes rrëfeu edhe njëherë se çfarë bisedoi me kryeministrin Edi Rama pak javë më parë në Tiranë. Ai tha se Rama nuk është për shkëmbim territoresh. “Karshi Beogradit nuk duhet të ketë një politikë Tirana dhe një politikë Prishtina. Ashtu si me Greqinë, nuk mund të kem unë një politikë ndaj Athinës pa u konsultuar me Tiranën. Kemi diskutuar shumë gjatë për çështje ekonomike dhe Rama u mundua që të më tregojë mua një mori të vështirësive që ka hasur kur erdhi si kryeministër shumë gjëra që ka menduar ti bëjë, disa i ka bërë disa janë vonuar dhe vështirësitë që ka hasur me administratën, por edhe profesionalizmi dhe punës që ndoshta jo pak mungon tek ne.
Unë mendoj se është për të përshëndetur ai qëndrimi i tij se nuk është për shkëmbimin territorial, meqenëse se kishte diku nga 14 muaj që nuk ishim takuar dhe padyshim se mendoj se ai projekt i dështuar nuk duhet të vijojë që të mbetet as ide. Unë dua që Serbia një ditë të integrohet në BE, populli serb e do BE-në, por shteti serb jo, unë e njoh historinë e Serbisë. Në Serbi kanë vrarë shumë lidera, por atje nuk i ka vrarë populli, por shteti. Ky është dallimi me ne, se këtu e ka vrarë populli. Vuçiq duhet të gjejë një partneritet me popullin serb kundër shtetit serb, por nuk jam i bindur se e ka këtë kurajo. Ndonjë edhe përkëdheljet në rajon dhe faktori ndërkombëtar nuk e ndihmojnë për këtë” tha ai.
Kryeministri Rama u shpreh pak javë më parë se Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një ministër shteti të përbashkët, por Albin Kurti mbrëmë në Report Tv i ktheu një përgjigje ironike.
“Në 10-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kryeministri Rama propozoi një president të përbashkët, ajo u harrua, tani ramë te ministri i shtetit dhe tani kjo po harrohet edhe më shpejt.
Daullet i kanë marrë Lorik Cana dhe Rita Ora, duhet të shkojmë përtej atyre, prej nesh priten plane, punë dhe buxhet. Shumë mirë të ishte që Shqipëria ta kishte një konsullatë në Manastir apo Preshevë.
Ne kemi rreth 50 marrëveshje Kosovë-Shqipëri, 30 janë për cështjet ekonomike, e kam ngritur edhe me Ramën në takim. Nuk ka nevojë që ministrat dhe kryeministrat ta kopjojnë Lorik Canën apo Rita Orën për simbolin e shqiponjës. Përvec komisioneve të përbashkëta, është mirë të kemi edhe regjistrin e përbashkët civil dhe të biznesit” tha ai.
Kreu i Vetëvendosjes u shpreh se është pro bashkimit të Korporatës Energjitike. “Pajtohem për sistemin energjetik të përbashkët KESH dhe KEK”.