Kurti paralajmëron eskalim tjetër në veri të Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se institucionet e sigurisë dhe inteligjencës kanë identifikuar inskenime për sulme të reja nga Serbia, në mënyrë që fajësohet Policia e Kosovës.
Para fillimit të mbledhjes së Qeverisë, Kurti u shpreh se ekziston rreziku për eskalim javët në vijim në veri.
Lirimi i Millan Radoiçiqit në më pak se 24 orë, sipas Kurtit, është dëshmi dhe sinjal i potencialit për rigrupim dhe hakmarrje, “sepse më 24 shtator Beogradi zyrtar e militar dështoi”.
“Institucionet e sigurisë së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të dhunshme nga grupet e strukturave të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për ta arritur këtë nuk kanë vënë çmim në tavan. Nuk do të zgjedhin mjet. Mbështetja e grupit terrorist që ka marrë nga Serbia në njërën anë duke i trajtuar si heronj, në anën tjetër duke intensifikuar aktivitetet e ushtrisë pranë kufirit me Kosovën vetëm sa i inkurajuar ata”, tha Kurti, raporton EO-ja.
“Deshën ta ndryshojnë realitetin në terren përmes organizimeve paramilitare, nuk ia arritën. Provuan ta keqpërdorën Manastirin e Banjskës, nuk ia arritën. Tani formacionet kriminale të sponsorizuara nga fqinji ynë verior në skenarin e tyre destabilizues, ka shumë të ngjarë që dallimet etnike t’i keqpërdorin për synime politike. Javën që lamë pas u shënua 23-vjetori i rrëzimit të Millosheviqit, 23 vjet pas asnjëherë më parë nuk i ka ngjarë më së shumti Serbisë së Millosheviqit ky pushtet në Serbi, në botëkuptime, në metoda, në sjellje e në veprime”, deklaroi Kurti.
“Shumëçka është ndryshe prej asaj të diele. Gjithçka do të ishte ndryshe nëse grupi terrorist nuk do të neutralizoheshin që në natën e parë. Ata dështuan dhe kjo i ka dëshpëruar. Lirimi i Radoiçiqit më pak se 24 orë pas arrestimit është dëshmi e sinjalit për rigrupim dhe hakmarrje. Institucionet e tona të sigurisë dhe inteligjencës kanë identifikuar inskenimet. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës”, tha ai.