Lajme

Kurti: Jemi qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas votimit të mocionit në Kuvendin e Kosovës, për ta rrëzuar qeverinë e tij.

Ai përmes këtij reagimi, thotë se pa rënë qeveria si përbërje, nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje.

“Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme. Pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje. Jo se e kemi ditur, gjithsesi e morëm vesh. Mbledhja e djeshme e kuvendit do të ishte mirë të mbahej mend gjatë. Mirëpo, nuk do të ndodhë kështu, sepse ne do të fitojmë. Pra, e ardhmja është e jona, ndërkohë që do ta humbim një tragjedi”, shkruan Kurti.

Kurti thotë se “Ky kuvend nuk e beson këtë qeveri sepse i nënshtrohet qeverisë si të tillë”.

“Qeveria jonë nuk e beson këtë kuvend sepse e dashuron kuvendin si të tillë. Saktë e kishte thënë mbrëmë Prof. Enver Hasani: mosbesimi ishte koniuktural. Kur përfaqësimi demokratik bie në koniukturë politike, tjetërsimi bëhet normë. Qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial”, ka shkruar tutje Kurti, përcjell Koha.

Kurti thekson se “Do të vazhdojmë si qeveri në detyrë”.

“Jemi qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar. Para së gjithash, duhet ta luftojmë bashkë pandeminë Covid-19. Mbi të gjitha, le t’i rrimë popullit afër se Kosova është shtëpia jonë”, ka përfunduar Kurti.