Krerët e Arsenalit marrin vendim për sjelljet e Xhakës
Krerët e Arsenalit do të takohen me kapitenin Granit Xhaka në ditët e ardhshme për të diskutuar për reagimin e ashpër teksa zëvendësohej në ndeshjen e së dielës me Crystal Palacen.
Xhaka pritet të kthehet në ushtrime të martën para ndeshjes së Arsenalit në Carabao Cup në rrethin e katërt ndaj Liverpoolit. Kjo ndeshje zhvillohet të mërkurën.
Xhaka, që ka shkaktuar më së shumti ndërhyrje në Premier Ligë këtë edicion (22), është zëvendësuar në tri nga nëntë ndeshjet e Premier Ligës kur është paraqitur këtë sezon, raporton “Sky Sports”.
Nuk dihet akoma nëse Arsenali do të konsiderojë heqjen e shiritit të kapitenit nga Xhaka.
I pyetur pas ndeshjes së dielën, të cilën Arsenali e barazoi 2:2 me Crystalin, trajneri Unai Emery tha se “s’është koha të flitet për shiritin e kapitenit tani”.