Kosovë/ Gjuha e politikanëve ashpërsohet para zgjedhjeve të jashtëzakonshme
Diskursi politik në Kosovë, pak kohë para shpërndarjes së Kuvendit, është ashpërsuar.
Ministri në detyrë i Drejtësisë nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri, përmes dy shkrimeve të ndara në Facebook, ka thumbuar VV-në dhe LDK-në.
“Para dy orësh, ra kambana e panikut. Albin Kurti dhe partia e tij e thyer kanë frikë nga zgjedhjet, e veçmas nga ajo që i pret pas tyre. Këtë e konfirmoi zyrtarisht në Facebook, ‘lideri shpirtëror’ i Vetëvendosjes së cunguar, duke bërë thirrje për një koalicion të gjerë parazgjedhor. Tashmë kur e ka të qartë se dëshpërimi që i pret pas zgjedhjeve është i pakapërdishëm, përballë një PDK-je të fuqishme, është hedhur në aventurë për koalicione. Aventurë alla Don Kishot, me beteja, e pa beteja, me ankth e me festa, me iluzione e pa to, duke marrë vullnetin e popullit në duart e veta për të caktuar edhe numrin e deputetëve që populli medoemos duhet t’ia ‘prodhojë’”, ka shkruar ai në Facebook.
Situatën e zyrtarit të PDK-së, e ka përqeshur Adnan Rrustemi nga VV.
“Le të qeshim me Abelardin, se pas zgjedhjeve nuk do ta shihni asnjëherë në skenë, madje jo vetëm atë”, ka shkruar ai.
Me VV-në është marrë edhe zëdhënësi i PSD-së, Shkodran Hoti.
“Unë nuk e di se si një parti që pretendon që është e para, me mbi 35 deputetë, lëngon me muaj për koalicion me një parti tjetër. Matuni! Apo ekziston rreziku që jeni në vendin e tretë a të katërt?!”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Kurse, Zafir Berisha nga Nisma Socialdemokrate, me shumë gabime drejtshkrimore, ua ka kujtuar LDK-së dhe VV-së protestën e mbajtur vite më parë, në të cilën njëra nga sloganet ishte “ Isë, Isë argat i Serbisë”.
“Para më shumë se 2 vjetësh pata zbritur nga katundi (që i përket provincës që ka bërë shumë për lirinë e Kosovës), në një protestë të opozitës në katundin më të madh të Kosovës, Prishtinë! Një turmë e madhe protestuesish, në mesin e tyre edhe një infantil politik (që vinte nga një katund më i madh se i imi), e kishte hapur gojën vesh e në vesh, duke bërtitur ‘Isë, Isë argat i Serbisë’, zhurmë kjo që në një moment më bëri që instiktivisht të duartrokas edhe unë! Mirëpo sot, pas asaj kohe, s’e kam të qartë shumë çka u bë; Isa është apo nuk është argati i Serbisë?! Në fund, dëshiroj të them se edhe politika ka disa parime, ose në katundin tim thonë ‘ka njëfarë burrnie’…”, ka shkruar Berisha në Facebook.
E gjithë ky diskutim mes grupeve politike, sipas Krenar Shalës, është i mirëqenë për demokracinë.
Por, sipas tij, partitë në prag të zgjedhjeve, do të duhej të përqendroheshin në programet politike dhe në atë se çfarë do t’u ofrojnë votuesve të tyre.
Zgjedhjet në vend pritet të mbahen në fund të shtatorit, respektivisht në fillim të muajit tetor, nëse deputetët votojnë për shpërndarjen e Kuvendit më 22 gusht.