Komuna e Preshevës akuzohet se është në bllokadë finansiare/ Reagon shefi i Kabinetit të Sinanit
Visar Mehmeti, sot akuzoi kryetaren Ardita Sinani dhe zv.kryetarin Ragmi Mustafa, për bllokadë të llogarisë finansiare të Komunës së Preshevës. Pas kësaj akuze, ka ardhur reagimi i shefit të Kabinetit të Sinanit, Besim Shabani.
Reagimi i plotë i Shabanit :
Gjatë ditës së sotme, u plasuan në opinion akuzat se kinse Komuna e Preshevës është në bllokadë financiare.
Kjo akuzë erdhi nga Visari, i cili për një kohë të gjatë bën sikur është kryetar i Alternativës për Ndryshim, flet sikur është një faktor i rëndësishëm në politikën preshevare.
Në akuzën e sotme për këtë “zbulim” të Visarit, fillojnë me faktet e pamohueshme, e që lidhen me postimin e Kryetares së Komunës së Preshevës rreth realizimit të buxhetit 2025.
Për shkak të politikës së paraardhësit të tij politik në APN, për të cilin sukseset e Komunës së Preshevës, e ku nuk ka qenë i përfshirë ai dhe subjekti i tij, janë paraqitur përmes shpifjeve e gënjeshtrave si diçka tragjike në opinion, si dhe duke u bazuar në njohuritë tashmë të dëshmuara të Visarit për buxhetin dhe financat, unë edhe e mirëkuptoj.
Por nuk besoj se do ta mirëkuptojnë qytetarët e Komunës së Preshevës, të cilët Visarin në çdo garë e “shpërblejnë” politikisht, por assesi ta kthjellin.
E vërteta e akuzës prej tre rreshtave të Visarit është kjo:
Nga të dhënat zyrtare të Regjistrit Unik të llogarive të Bankës Kombëtare të Serbisë, siç do ta shihni edhe në linkun e mëposhtëm të web faqes zyrtare si dhe foto dëshmive, rezulton se xhirollogaria kryesore e Komunës së Preshevës është aktive dhe funksionale, e poashtu edhe xhirollogaritë e Kryetares së Komunës, Kuvendit Komunal, Këshillit Komunal, Administratës Komunale dhe të gjitha njësive tjera organizative. Poashtu nga po të njejtat të dhëna, dëshmohet se Buxheti i Komunës realizohet pa asnjë pengesë qoftë ligjore apo financiare.
“Dëshmia” e Visarit e plasuar në opinion, në fakt janë të dhënat për një nënllogari të Komunës së Preshevës, e hapur në vitin 2005 për nevojat specifike të asaj kohe, e që rezulton të jetë e bllokuar. Mirëpo, e njejta xhirollogari, nuk ka kurrëfarë lidhje me funksionimin e Buxhetit Komunal aktual, e që njëkohësisht nuk ka asnjë lloj ndikimi në operacionet financiare të Komunës.
Uroj që Visari fillimisht mos të ketë nevojë që me këso “fakte” të dëshmohet si lider, sepse të njejtat në fakt po e bëjnë të duket qesharak.
Përndryshe, për çfarëdo lloj paqartësie a dileme rreth financave e sidomos rreth Buxhetit Komunal, e ftoj që të informohet tek Shërbimi i financave pranë Administratës Komunale. Në këtë formë do të eliminohet injoranca në deklarimet e tij publike.


