KFOR-i u del në ndihmë institucioneve të Kosovës rreth koronavirusit
Rritja e numrit të të prekurve me koronavirus në Kosovë ka nxitur edhe reagimin e KFOR-it. Përveç zbatimit të operacioneve ditore, personeli i KFOR-it do të asistojë institucionet e Kosovës, në mënyrë që të menaxhohet situata e krijuar pas përhapjes së koronavirusit.
Në komunikim me KOHA-n, KFOR-i njoftoi se është duke zbatuar “masa të rrepta bazuar në rekomandimet e OBSH-së në mënyrë që të reduktojë rrezikun që ndërlidhet me COVID 19 për personelin, por edhe komunitetet në Kosovë”.
“Në aspektin e parandalimit, KFOR-i ka zbatuar masa të rrepta bazuar në rekomandimet e OBSH-së në mënyrë që të reduktojë rrezikun që ndërlidhet me COVID 19 për personelin dhe komunitetet në Kosovë. Masat e këtilla përfshijnë skanimin dhe kontrollimet e personelit ushtarak të shtrirë në vend. KFOR-i do të monitorojë situatën në koordinim të afërt me institucionet kosovare dhe komunitetin ndërkombëtar. KFOR-i do të vazhdojë të zbatojë operacionet ditore, derisa do të ndërmarrë masa për të reduktuar transmetimin e mundshëm të virusit dhe ekspozimit ndaj tij. Ushtarët tanë do të vazhdojnë patrullimet e tyre dhe monitorimin e aktiviteteve në Kosovë në përputhje me mandatin e KFOR-it dhënë nga OKB-ja, në përkrahje të organizatave kosovare të sigurisë, në mënyrë që të kontribuojë në siguri dhe ambient të sigurt për të gjithë qytetarët”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Ndihmën për institucionet e Kosovës, KFOR-i ditë më parë ia kishte konfirmuar edhe ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu. Sipas Ministrisë së Brendshme, me KFOR-in do të mbajnë kontakte të vazhdueshme në mënyrë që t’i koordinojnë përpjekjet për menaxhimin e situatës.
Në Kosovë, një ditë më parë është shpallur gjendje emergjente e shëndetit publik, si rezultat i rritjes së numrit të prekurve me pandeminë COVID-19.