KryesoreShëndetësi

Këto janë pasojat kur fëmijët qëndrojnë përpara ekranit

Qëndrimi i një fëmije 2-3 vjeç, shumë orë para një tableti, smartfoni apo televizori, mund të vonojë zhvillimin e aftësive themelore njohëse për gjuhën, zgjidhjen e problemeve, marrëdhëniet ndërpersonale, dhe koordinimin motorik.

Një studim kanadez mbi rreth 2.400 fëmijë, dhe i botuar në revistën “JAMA Pediatrics”, rihap debatin rreth numrit të orëve, dhe moshës minimale të ekspozimit të fëmijëve ndaj ekranit, si dhe efektet në rritjen e tyre.

Studimi konstaton se sasia e kohës së kaluar para ekranit në moshën 2-3 vjeçare, ka pasoja negative në performancën njohëse, të shprehur përkatësisht nga fëmijët 3-5 vjeç.

Nga ana tjetër, nuk u gjet asnjë provë që fëmijët me probleme të zhvillimit, liheshin më gjatë para ekranit, për të evituar sjelljet e vështira (një mekanizëm që mund të kishte ndikuar në rezultatet e studimit).

Mesatarisht, fëmijët kalonin 17 orë në javë para ekranit kur ishin në moshën 2-vjeçare, 25 orë në moshën 3-vjeçare, dhe 11 orë në moshën 5-vjeçare, pas fillimit të shkollës. Por prirja e zbuluar nga shkencëtarët, ishte se ndërsa ata kalonin orët përpara një pajisje, kishin një rënie të rezultateve njohëse gjatë vitit, ose në 2 vitet e ardhshme.

Fëmijët që kishin qëndruar më gjatë para një ekrani në moshën 24 muajsh, dolën më keq në testet njohëse në moshën 36 muajshe, dhe një efekt i ngjashëm, është vërejtur midis 36 muajsh dhe 5 vjeç (60 muaj).

Studimi nuk specifikon asgjë në lidhje me llojin e programit të parë, dhe as mbi kufirin maksimal të orëve, që konsiderohet si “i sigurt”. Sikurse është rikujtuar nga BBC, në vend se të fokusohemi në një njësi kohore, do të ishte më e përshtatshme të pyesnim nëse familja ka kontroll të kohës së kaluar para një ekrani.

Aktivitetet para ekranit, ndërhyjnë në planet ditore, ose gjumin; nëse ka dhoma (si ajo e gjumit) ose momente të ditës (si darka), ku përdorimi i telefonave celularë dhe tabletave është “i ndaluar”. Nëse përgjigjet janë pozitive, ndoshta s’ka arsye për t’u shqetësuar.