Kancelaria gjermane thotë se Scholzi i kërkoi Kurtit hapa konkretë në formimin e Asociacionit
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, në bisedën telefonike që e ka zhvilluar sot me kryeministrin Albin Kurti, ka kërkuar që të ketë hapa konkretë nga Kosova, për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në njoftimin e lëshuar nga Zyra Federale e Kancelarisë së Gjermanisë thuhet se Scholz theksoi mbështetjen e Qeverisë Federale për integrimin evropian të Kosovës dhe rikujtoi rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
Kancelari përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit. Ai nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga autoritetet e Kosovës, në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftim
Për të njëjtën bisedë telefonike ka shkruar edhe Kurti, i cili me anë të një postimi në platformën X ka thënë se shprehu mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën.