Të fundit

Kamberi dorëzon rezolutë në Kuvendin e Serbisë: Kërkon përmirësim të pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka dorëzuar një rezolutë zyrtare për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, e cila tashmë është në procedurë parlamentare. Rezoluta synon të adresojë diskriminimin institucional ndaj shqiptarëve në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe kërkon përmirësim të pozitës së tyre në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe procesin e integrimit evropian të Serbisë.

Sipas Kamberit, nevoja për këtë rezolutë lind nga një realitet i gjatë i “mosrespektimit të të drejtave të shqiptarëve dhe mungesës së reagimit institucional”, që ka prodhuar pasoja të rënda në jetën sociale dhe politike të këtij komuniteti.

Në rezolutë theksohen si problematika kyçe:

Pasivizimi arbitrar i adresave që çon në humbje të të drejtave qytetare, Mosnjohja e diplomave të Kosovës, Mungesa e përfaqësimit proporcional në institucionet shtetërore, Pengesat në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare, Mungesa e zhvillimit ekonomik.

Në këtë dokument, Kamberi bën thirrje për:

Zbatimin e marrëveshjeve të viteve 2001, 2009 dhe 2013; Ndërprerjen e pasivizimit të adresave; Përfaqësim institucional të shqiptarëve në administratën shtetërore; Hetim ndërkombëtar për rastet e pasivizimeve; Krijimin e fondeve për zhvillimin ekonomik të rajonit me ndihmën e shtetit dhe donatorëve ndërkombëtarë; Dënimin e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Një pikë e rëndësishme në rezolutë është propozimi për përfshirjen e çështjes së shqiptarëve të Luginës në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si pjesë e përpjekjeve për një paqe të qëndrueshme.

“Miratimi i kësaj Rezolute do të shërbente si shenjë e vullnetit politik për të adresuar sfidat dhe për të siguruar barazi për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike”, ka shkruar Kamberi në rrjetet sociale.

Deputeti shqiptar gjithashtu ka falënderuar kolegët e tij të SDA-Sanxhak, Ahmedin Shkrijel dhe Minela Kalender, për mbështetjen në procesimin e kësaj rezolute në Kuvendin e Serbisë./a1info