Kadri Veseli: Kurti po e djeg veten më shpejtë sesa që kanë pritur të tjerët
Pas vendimit mbi heqjen e taksës ndaj Serbisë nga Qeveria Kurti vjen edhe reagimi i kryetarit të PDK-së, z.Kadri Veseli. Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në FB ka shkruar se “Kurti të paktën ta respektonte të drejtën e autorit. Sepse, vendimi i tij për taksën dhe reciprocitetin qenka huazuar nga ideja e propozimit tim të janarit të vitit 2019, të cilin, si çdo gjë tjetër, ai e pat refuzuar.”
Veseli e quajti Kurtin të padijshëm, të dobët, edhe mashtrues, dhe që Kosova në krye me të mund të rrezikohet seriozisht, raporton Ministria e Lajmeve.
Postimi i plotë i Veselit pa ndërhyrje:
Asgjë e re nga Albini! Të paktën, ta respektonte të drejtën e autorit. Sepse, vendimi i tij për taksën dhe reciprocitetin qenka huazuar nga ideja e propozimit tim të janarit të vitit 2019, të cilin, si çdo gjë tjetër, ai e pat refuzuar.
Si opozitar, ishte në gjendje ta digjte Kosovën dhe të përdorte dhunë dhe jetë të rinjsh idealistë për të ardhur në pushtet. Sot, kur udhëheq Qeverinë, ideali i tij po shihet se është vetëm mbajtja e pushtetit. Duke u shantazhuar, po e djeg veten më shpejtë sesa që kanë pritur të tjerët.
E mendonte veten si më të mençurin dhe më të fortin; sikur të ishte vetë Kosova. Po del që është edhe i padijshëm, edhe i dobët, edhe mashtrues, dhe që Kosova në krye me të mund të rrezikohet seriozisht./ministrialajmeve.com