Lajme

Kadaj-Bujupi: Qeveria e majtë i harroi punëtorët e “Trepçës”, s’ka paga për ta në periudhën pandemike

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka kritikuar Qeverinë në detyrë të Kosovës që nuk ia ka paguar pagat punëtorëve të ndërmarrjes “Trepça” gjatë periudhës së pandemisë. Ajo ka thënë se kjo është e paprecedent, sidomos kur dihet se në pushtet është një parti që është deklaruar si e majtë, duke aluduar në Vetëvendosjen.

Kadaj-Bujupi, siç bën me dije faqja e GP të AAK-së në Facebook, ka thënë se për “Trepçën” është diskutuar shumë, por i vetmi veprim konkret ishte ndërmarrë nga Qeveria Haradinaj kur ishte bërë realitet Ligji për “Trepçën”.

“Mospagesa e pagave ndaj punëtorëve të ‘Trepçës’ e sidomos kur në pushtet është një parti deklarativisht e majtë, është e paprecedent. Për ‘Trepçën’ është folur dhe diskutuar nëpër të gjitha fushatat zgjedhore, mirëpo asgjë apo shumë pak është vepru. I vetmi veprim konkret ishte nxjerrja e Ligjit nga Qeveria Haradinaj. Sot, Qeveria në detyrë në kohë pandemie ende nuk ka kryer subvencionin që kanë pasur obligim ta përfundojnë, madje në muajin mars. E në anën tjetër, si pasojë e pandemisë, ‘Trepça’ nuk ka pasur shitje këtë periudhë, plus që ka ra shumë çmimi i koncentratit në bursë. Të gjitha këto bashkë e pamundësuan krijimin e buxhetit për paga”, citohet të ketë thënë Kadaj-Bujupi.

Ajo ka bërë thirrje për reflektim nga ana e Qeverisë dhe që të mos rrezikohen 300 familjet e punëtorëve të “Trepçës”.

“Iu bëjë thirrje përgjegjësve që të veprojnë dhe të mos rrezikojnë mirëqenien e këtyre 300 familjeve në këtë kohë krize. Politika s’ka vend në kohë pandemie. Veproni sipas detyrës në mbrojtje të çdo qytetari të Kosovës”, ka thënë ajo, sipas faqes Grupi Parlamentar i AAK-së.