Lajme

INTERVISTË, SHAIP KAMBERI: MJAFT KEMI PRITUR INTEGRIM NË SERBI, KOHA ËSHTË T’I KTHEHEMI REFERENDUMIT TË 1992

KDP: Si e vlerësoni idenë që kontesti midis Kosovës e Serbisë të përmbyllet me korrigjimin e kufijve, që nënkupton edhe shkëmbim territoresh? Shaip Kamberi: Në opinion kjo ide paraqitet si e z.Hashim Thaçi në dialogun me Beogradin. Në të vërtetë ky është një projekt i shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Në vitin 1992, kur u organizua referendumi për autonomi kulturore e politike me të drejtë bashkimi me Kosovën, shqiptarët e kanë thënë fjalën e vet se, në rast se do të hapej procesi i ridefinimit të kufijve në Ballkan, atëherë zgjidhja më e mirë e shqiptarëve të Luginës është bashkimi me Kosovën. Gjatë kohës që bashkësia ndërkombëtare as që dëshironte të dëgjojë këtë përcaktim, e shihej si një temë tabu, ne u fokusuam në integrimin e shqiptarëve në institucionet e Serbisë, sidomos pas përfundimit të konfliktit të armatosur në vitin 2001. Tash gati 18 vite nga fillimi i këtij procesi integrimi ka mbetur vetëm në nivel lokal. Serbia deri më tani nuk ka treguar seriozitet në ndërtimin e një koncepti që do të integronte në tërësi pakicat, në veçanti atë shqiptare. Përderisa koncepti i integrimit brenda Serbisë nuk ka dhënë rezultatet e pritura, atëherë ideja e korrigjimit të kufijve dhe vullneti i referendumit të 1992-shit kthehet si opsion më i dëshiruar nga shqiptarët e Luginës. Ne kemi tre marrëveshje të nënshkruara me Serbinë – ajo e pasluftës së vitit 2001, në 2009-ën e kemi konfirmuar edhe një herë atë marrëveshje me prani të faktorit ndërkombëtar kurse në vitin 2013, pas krizës me lapidarin në Preshevë, kemi pasur marrëveshjen e tretë. Por, asnjëra nga këto marrëveshje nuk është zbatuar në tërësi. Në pushtetin lokal ku ne si shqiptarë e kemi shumicën, si në Bujanoc apo Preshevë, ne u kemi ofruar partive serbe të jenë pjesë të pushtetit lokal duke pasur parasysh faktin se ata jetojnë në ato komuna dhe kanë një përqindje të konsiderueshme. E kemi bërë këtë për hir të paqes, stabilitetit pasi serbët në Bujanoc kanë kërcënuar se nëse nuk bëhen pjesë e pushtetit do ta ndajnë Bujanocin në dy komuna. Ky koncept kemi kërkuar të zbatohet edhe në institucionet e shtetit, si në polici, gjykata, dogana, inspektorate…kjo nuk është respektuar. E tash, nëse ky shtet në këto 18 vite proces politik nuk ka shprehur gatishmëri të na integrojë, atëherë projekti politik i bashkimit me Kosovën imponohet si zgjidhje e vetme e mundshme. Këtë ia kemi thënë edhe presidentit Thaçi dhe përfaqësuesve tjerë në Prishtinë se do të ishte e rrezikshme ideja e parcializimit të Luginës së Preshevës. KDP: Ju kërkoni që Lugina e Preshevës t’i bashkëngjitet si tërësi Kosovës? Shaip Kamberi: Po, gjithsesi. Është e çuditshme se të parët që kanë thënë se Serbia nuk e jep autostradën janë disa qarqe politike në Prishtinë. Ende pa u fut në biseda, Prishtina del e thotë se Serbia nuk e jep autostradën. Ne kemi thënë se jemi pro bashkimit me Kosovën, por duhet të kemi parasysh gjeografinë e terrenit. Nëse pjesa e anës majtë të autostradës ngelet në Serbi atëherë atje ngelen afër 15 mijë shqiptarë, gjë që do të jetë një katastrofë për ato. Nëse tani ne si 80 mijë shqiptarë nuk arrijmë të gjejmë zgjidhje me Serbinë si do ta bëjnë këtë 15 mijë? KDP: E çka thotë presidenti Thaçi lidhur me këtë? Shaip Kamberi: Kur kemi folur në këtë temë z.Thaçi na ka thënë se ende nuk është futur në detaje. Ai vetëm na ka pyetur në parim nëse duhet të fillohet ose jo ky proces. E ne si Luginë i kemi dhënë mbështetje. Kohëve të fundit jemi tërhequr pak sepse në Prishtinë ky dialog disi nisi mbrapshtë. Filluan të etiketohen njerëzit në patriotë e tradhtarë, në ndarës apo bashkues të Kosovës, në vend që kjo çështje të trajtohet nga aspekti strategjik. Duhet parë realisht a ka gjasa që Kosova të shtrijë sovranitetin e saj në veri të territorit, a është më me interes veriu për Kosovën a Lugina e Preshevës…Këto çështje nuk u shtruan për debat në këtë formë, fatkeqësisht. KDP: Po nëse marrëveshja finale Serbi-Kosovë nuk parasheh shkëmbimin e territoreve? Shaip Kamberi: Në atë rast Serbisë duhet t’i imponohet reciprocitet për të drejtat e pakicave. Nëse Kosova do të marrë obligime tjera plotësuese për serbët pa me i marrë edhe Serbia për shqiptarët, atëherë në të vërtetë kanë dështuar edhe Kosova edhe të gjithë shqiptarët. Në procesin e Vjenës dhe proceset tjera rreth Kosovës fare nuk është përmendë Lugina. Gjithmonë është biseduar për të drejtat e serbëve, si pakicë më e privilegjuar në Ballkan e nuk është arritur të integrohen në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës. Në anën tjetër, ne si shqiptarë ne Serbi tërë kohën kemi kërkuar integrim por ja që nuk arrijmë t’i realizojmë as të drejtat minimale tonat. KDP: Është fakt se integrimi i veriut të Kosovës assesi nuk po ndodh. Kishim Marrëveshjen e 2013-ës që parashihte formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, por as kjo nuk u zbatua. Ku e shihni Ju burimin e kundërshtimeve dhe antagonizmave te një pjesë e politikës së Kosovës kundër idesë së korrigjimit të kufijve? Shaip Kamberi: Kosova humbi dy vjet për demarkacionin me Malin e Zi që më në fund ta miratojë pa asnjë problem. E njëjta po ndodhë edhe me këtë ide – nuk po shtrohet tema në mënyrë serioze. KDP: Ju thoni se më shumë bëhet politikë me këtë ide sesa ka një qasje serioze në Prishtinë? Shaip Kamberi: Po, thjesht po bëhet politikë. Merren me atë a po e bën Hashim Thaçi apo kush po e bën dikush tjetër. Nëse e bën, a do të jetë e vështirë ta largojnë nga pushteti apo jo. Nga ky këndvështrim trajtohet çështja e idesë së korrigjimit të kufijve. KDP: Po çka thonë partitë tjera të Kosovës? Shaip Kamberi: Lëvizja Vetvendosja ka kohë që thotë se është pro bashkimit kombëtar, por doli kundër kësaj ideje. Kjo ka shkaktuar një zhgënjim të madh. Ne nuk jemi agresiv në kërkesën tonë për bashkim me Kosovën pasi i frikohemi krijimit të një klime kundër Luginës në Kosovë. Shpesh dëgjojmë edhe nga analistë të Kosovës se kërkesat e Luginës e dëmtojnë tërësinë territoriale të Kosovës. Por, ta themi hapur – problemin e veriut të Kosovës nuk e ka shkaktuar Lugina e Preshevës por vetë kosovarët dhe bashkësia ndërkombëtare. Ne asnjëherë me kërkesat tona nuk kemi shkuar aq larg sa ta dëmtojmë Kosovën, por gjithmonë kemi qenë të moderuar. Tash më kemi vetëm dy opsione – ose atë të bashkimit, që i prin presidenti Thaçi, ose atë të reciprocitetit në të drejta. Ne mund tërë kohën të themi se s’kemi çfarë flasim me Serbinë se edhe veriu edhe Lugina janë shqiptare, por veriu i Kosovës vetëm në letër është pjesë e Kosovës. Me këtë trend të ikjes së shqiptarëve nga Lugina ne do ta humbasim edhe këtë pjesë. Njëjtë si në Medvegjë – pjesa më e madhe kanë ikur jashtë. KDP: Sa ka qenë numri i shqiptarëve në Luginë para 10 viteve e sa është ai numër sot? Shaip Kamberi: Në 1991 ka pasur 87 mijë shqiptarë, në 2001 ka pasur diku 60  mijë kurse tash, pasi nuk morëm pjesë në regjistrimin e rregullt, në bazë të vlerësimeve statistikore në të gjithë Serbinë kemi afër 55 mijë shqiptarë. E bojkotuam regjistrimin e fundit pasi nuk lejuan të përfshihet diaspora por vetëm popullsia rezidente. KDP: A mund të nxisë konflikte të reja përcaktimi i vijës së re kufitare midis Serbisë dhe Kosovës? Shaip Kamberi: Sigurisht që kjo nuk është një çështje e lehtë. Në komunën e Bujanocit, përveç qytetit, fshatrat janë etnikisht të ndara. Kemi vetëm një fshat etnikisht të përzie, që është fshati Muslarë, por problemi kryesor është fakti se kemi dy fshatra në anën e majtë të Korridorit 10 kurse Presheva ka pesë fshatra në atë pjesë. Kemi tre fshatra në Preshevë që janë midis korridorit dhe hekurudhës që nuk dihet se çka bëhet me ta. KDP: A mund të ndodhë varianti që do të përfshinte edhe korrigjimin edhe reciprocitetin? Pra, të korrigjohet kufiri e ata pakica që do të ngelnin në të dyja shtetet të gëzonin të drejta të njëjta. Shaip Kamberi: Sipas statistikave veriu i Kosovës ka 30 mijë serb, ndërsa pjesa më e madhe e pakicës serbe do të ngelnin në Kosovë. Sigurisht që duhet të gjendet një që do të garantonte një reciprocitet. Sigurisht që kur të ngelen pakicë vet gjendja psikologjike ndikon në atë se ku do të planifikojnë të ardhmen dhe në çfarë kushtesh do të qëndronin. Nëse si 67% shqiptarë në Bujanoc e 97% në Preshevë nuk arrin të realizosh të drejtat, si do të arrish kur të jesh një përqindje e vogël brenda komunës. Situata e serbëve në jug të Kosovës është më ndryshe. Ata mund ta shesin pasurinë e tyre për një shumë të madhe, kurse shqiptarëve të Luginës nuk ua blen askush pronën. Në atë rast gjithsesi se krijohet një krizë refugjatësh, për të cilën gjë duhet të  kujdeset Kosova. Nuk është situata aq e thjeshtë sa duket andaj do të ketë probleme edhe në këtë aspekt. KDP: Sa ndikon në disponimin e përgjithshëm të shqiptarëve këtu mundësia që disa vendbanime të ngelin në Serbi edhe pas korrigjimit të kufirit? Shaip Kamberi: Pa marrë parasysh këtë, pjesa dërmuese janë për bashkim me Kosovën. KDP: E nëse organizohet tani referendumi? SHaip Kamberi: Prapë një shumicë e madhe do të votonin pro. KDP: Çka thonë për këtë politikanët e Kosovës? Shaip Kamberi: Unë, deputeti jonë dhe liderët tjerë të Luginës kemi pasur takime me të gjitha partitë në Kosovë, në përjashtim të atyre të serbëve. Aty pamë se ato kanë më shumë interes për pozicionet e tyre politike sesa për këtë çështje madhore. LDK thotë një herë të shkojmë në zgjedhje e pastaj shohim, NISMA është pjesë e koalicionit qeverisës por nuk e përkrah idenë e korrigjimit, AAK nuk e din a është kjo ide serioze apo jo… KDP: Nëse do mbahej një referendum në Kosovë pas korrigjimit eventual të kufijve, ku Kosova do të jepte veriun e do të merrte Luginën, si mendoni ju si do të ishin përgjigjur qytetarët e Kosovës? Shaip Kamberi: Nuk ka ndonjë anketë për këtë çështje, por në bazë të vlerësimeve tona mbi 90% e qytetarëve do ta përkrahnin këtë ide. Janë partitë politike që tash për tash e mbajnë peng këtë çështje. Por ne nuk mund t’i imponojmë asnjë zgjidhje Kosovës. Atë që ne e kërkojmë është se nëse refuzohet shkëmbimi i territoreve, të insistohet në reciprocitet në trajtimin e pakicave. KDP: Në vitin 2011 vet nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, propozoi një plan të tillë pasi tha se në vitin 1954 Lugina i është marrë Kosovës dhe i janë bashkëngjitur tre komunat serbe në veri. A mund të luaj rol edhe ky kontekst historik në formën e zgjidhjes finale? Shaip Kamberi: Mendoj se rol më të madh do të luajë aspekti gjeopolitik. Z. Haziri është i vetmi tash për tash që publikisht e përkrah këtë ide. Por, nuk do të ishte mirë që me korrigjimin e kufirit të na shkëpusë vetëm një fshat nga Lugina sepse në atë formë na dobëson edhe më shumë. KDP: A mund që rasti i bashkimit eventual të Luginës me Kosovën të shërbejë si model i zgjidhjes së problemeve edhe për shqiptarët e Maqedonisë apo edhe për serbët e Bosnjës? Shaip Kamberi: Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe BE e garanton stabilitetin e saj. Shqiptarët në asnjë rast nuk kanë qenë të interesuar ta shpartallojnë atë shtet. Përkundrazi, dëshirojnë të jenë element përbërës i shtetit. Te Bosnja kemi një situatë tjetër. Nëse arrihet një marrëveshje Prishtinë-Beograd me korrigjim të kufijve, atëherë Serbia duhet të garanci plotësuese se nuk do të ketë pretendime ndaj Bosnjës dhe Kroacisë. E rrethuar me shtete të NATO-s, Serbia do ta ketë të pamundshme të nxisë ndarjen e Bosnjës.