Lajme

INTERVISTË, SHQIPËRIM ARIFI: KONTESTI SHQIPTARO-SERB NUK MUND TË ZGJIDHET PA LUGINËN E PRESHEVËS

KDP: Jeni kryetar i komunës së Preshevës, e cila është vënë në tavolinën e dialogut Prishtinë-Beograd si një rajon që mund të shkëmbehet si pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare. Çfarë mendoni ju për këtë proces?

Shqipërim Arifi: Ne e kemi mbështetur këtë dialog, fazën finale të tij që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian. Tani kur jemi në fazën finale të dialogut jemi dakorduar me spektrin politik kosovar që çështja e Luginës së Preshevës të përfshihet në dialog. Nuk kemi hyrë në këtë proces qorrazi, as nuk e kemi parashtruar këtë kërkesë qorrazi por jemi bazuar në një akt demokratik të vitit 1992 dhe në proceset nga atëherë e deri më tani. Jemi bazuar po ashtu edhe në kontekstin aktual, i cili është më i komplikuar se kurdo herë më parë. Përfshirjen tonë e kemi kushtëzuar me tre pika: e para, të mos ketë shkëmbim territoresh.

 

KDP: Që do të thotë?

Shqipërim Arifi: Të mos merret Lugina e Preshevës e t’i bashkëngjitet Kosovës, e të mos shkëputet Veriu i Kosovës që t’i bashkëngjitet Serbisë. Veriu është pjesë përbërëse e territorit të Kosovës dhe në ato kufij është pranuar nga mbi 110 shtete. Nuk është koha e pazareve për territore, por për qartësime politike nëpërmjet një marrëveshje paqësore të pranueshme për palët, pra një marrëveshje shqiptaro-serbe. Një marrëveshje si ajo midis Francës dhe Gjermanisë, si dy vende që kanë pasur një armiqësi të madhe, por ja që sot janë aleatë në proceset progresive në BE dhe më gjerë. Kjo është e para. Pika e dytë është është mosndarja e tërësisë së Luginës së Preshevës – pra, siç propozohet që Medvegja të ngelet në Serbi kurse Bujanoci dhe Presheva t’i bashkëngjiten Kosovës. Poashtu, nuk pranojmë ndarjen e Luginës edhe në vija etnike duke e rrezikuar dhe cunguar kështu tërësinë e saj.

 

KDP: Në rast se arrihet një marrëveshje për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës si tërësi me Kosovën, çfarë do të ndodhë me serbët që jetojnë në këtë pjesë?

Shqipërim Arifi: Nuk do të ndodhte asgjë pasi do të ishin njëjtë siç janë serbët e tashëm të Kosovës – një minoritet i privilegjuar. Edhe tani brenda Kosovës kanë një status më të avancuar se të gjitha pakicat tjera, kanë deputetë të garantuar, kanë ministrat e tyre, njerëz në vende kyçe…Ne si shqiptarë në Luginë nuk kemi as një ministër, as një sekretar shtetëror, as jemi të përfshirë në strukturat shtetërore, as në kompanitë shtetërore…

 

KDP: Krijohet një përshtypje se Serbia në këtë mënyrë qëllimisht i hap rrugën e shkëputjes së Luginës dhe bashkëngjitjes së saj me Kosovën?

Shqipërim Arifi: Kjo politikë nuk ka të bëjë aq edhe me Kosovën, por me detyrimin e shqiptarëve të shpërngulen në Evropë. Ne kemi një fluks të madh të ikjes së të rinjve jashtë, kemi një papunësi të lartë pasi për një kohë të gjatë nuk ka pasur investime në këtë pjesë, gjë që e ka varfëruar skajshmërisht.

 

KDP: Dhe kushti i tretë cili është?

Shqipërim Arifi: Kushti i tretë është se ne do të pranonim korrigjim kufijsh vetëm nëse palët bien dakord kurse faktori ndërkombëtar e miraton atë marrëveshje. Ne nuk duhet të insistojmë në diçka që mund të prishë miqësinë tonë si shqiptarë me ndërkombëtarët pasi një gjë e tillë do të ishte e rrezikshme.

 

KDP: A mos janë kontradiktore tri kushtet që përmendët?

Shqipërim Arifi: Dikush mendon se janë kontradiktore, e dikush i kupton si refuzim që të bisedohet në temën e shkëmbimit apo korrigjimit të kufijve. Nëse ky korrigjim kufijsh do të kishte efekte anësore në Bosnjë, Maqedoni e në vendet tjera, atëherë ne themi më mirë të mbetemi kështu siç jemi, të diskriminuar e të rrezikuar me shpërngulje, sesa të nxisim një destabilizim në tërë rajonin. Për këtë arsye kemi ngritur lartë standardin e kushteve që kemi parashtruar për të qenë pjesë e atij procesi. Shqiptarët e Luginës së Preshevës thonë njëzëri se, nëse bashkimi me Kosovën e dëmton atë shtet, atëherë ne ngelim këtu ku jemi. Kosova është edhe projekt i yni, ne kemi luftuar e punuar për atë vend dhe nuk kemi ndërmend t’i bëjmë keq në asnjë rast.

 

KDP: Është fakt se Kosova, pa një marrëveshje me Serbinë, nuk mund të bëhet pjesë e OKB-së pasi refuzohet nga Rusia dhe Kina. Nuk mund të vazhdojë procesin e integrimit në BE pasi kemi 5 shtete që nuk kanë njohur pavarësinë e saj. A mendoni se do të ishte mirë që të arrihet ajo marrëveshje?

Shqipërim Arifi: Është mirë të arrihet një marrëveshje, por me rëndësi është që të ruhet vazhdimësia e interesave kombëtare shqiptare në rajon. Bile kjo e dyta është madje më e rëndësishme sesa vetëm të arrihet një marrëveshje vetëm e vetëm Kosova të bëhet pjesë e OKB-së.

 

KDP: Këtu në Luginë duket se ka një konsensus politik midis të gjitha forcave politike lidhur me të ardhmen e kësaj pjese të jugut të Serbisë. Por, nuk ka një konsensus të njëjtë në Kosovë në raport me zgjidhjet e mundshme të problemit me Serbinë, ku përmendet bashkimi i Luginës si kompensim për shkëputjen e veriut. Kush është kundër idesë që të jeni pjesë e Kosovës?

Shqipërim Arifi: Nuk mund të them se opozita në Kosovë ka diçka kundër Luginës së Preshevës. As që e mendoj e as që mund ta besoj një gjë të tillë. Problemi qëndron te fakti se Lugina e Preshevës përdoret si mjet për konsum të politikës ditore në Kosovë, duke e kritikuar kështu presidentin Thaçi. Kjo nuk është një politikë e mençur në këtë situatë. Nëse do të bëhet bashkimi i Luginës me Kosovën kjo nuk do të jetë në autorësi vetëm të Thaçit, Shqipërimit apo ndonjë politikani tjetër, por një projekt i të gjithë neve. Është një projekt i shqiptarëve që ka nisur 100 vjet më herët. Nuk jam avokat i Thaçit, as i afërt me ndonjë parti atje, por i respektoj institucionet e shtetit të Kosovës. Unë kam kontakt edhe me kryeministrin, bashkëpunoj edhe me atë për të mirën e shqiptarëve.

 

KDP: Por kryeministri është kundër idesë së shkëmbimit të territoreve?

Shqipërim Arifi: E kam takuar edhe kryeministrin Haradinaj. Ai nuk është kundër bashkëngjitjes së Luginës së Preshevës me Kosovën.

 

KDP: Por kur Haradinaj dhe politikanë tjerë të Kosovës mbrojnë parimin e pandryshueshmërisë së kufijve, në fakt janë kundër edhe bashkimit të Luginës me shtetin e tyre?

Shqipërim Arifi: Jo, Haradinaj e thotë qartë – nëse na japin Luginën atëherë kjo është e mirëseardhur. Por, është këmbëngulës që mos të japë territor të Kosovës. Edhe unë pajtohem me këtë – nuk dua Kosova të dëmtohet por të ngelet ashtu siç është. Është në të mirë të Kosovës të ketë pjesën veriore të saj. Pse të krijohet një Berlin i dytë me Mitrovicën?

 

KDP: Ajo pjesë faktikisht edhe nuk është nën juridiksion të Kosovës.

Shqipërim Arifi: De facto po, por mund të integrohet nëse arrihet marrëveshja. Pse të krijojmë një Berlin të dytë, një murrë në Mitrovicë. Tash e kemi shansin të bëjmë një politikë të mençur. Në këtë proces kemi përgjegjësi edhe ne liderët e Luginës së Preshevës, andaj edhe jemi shumë të vetëdijshëm në atë që themi. Ne nuk dëshirojmë diçka që do të ketë efekte anësore. Në Serbi ka disa pakica, që janë afër kufijve të shteteve të tyre amë, si minoriteti bullgar, kroat, hungarez, rumun, boshnjak…Por, Lugina e Preshevës e ka legjitime kërkesën për bashkim me Kosovën, një kërkesë që është tash e 26 vite.

 

KDP: Atëherë edhe Republika Serbe në Bosnjë do të pretendonte në legjitimitetin e kërkesës së saj për bashkim me Serbinë, apo?

Shqipërim Arifi: Dallimi është se Lugina e Preshevës ka mbajtur një referendum 26 vite më herët për këtë çështje. Është një kërkesë që është gjallë tri dekada. Republika Serbe tash paralajmëron referendume. Problemi i Luginës ka qenë problem i të kaluarës, andaj duhet të jetë pjesë e zgjidhjes së ardhshme. Unë kam kontakte të afërta me politikën gjermane e në këtë rast Gjermania është e prerë – nuk ka ndryshim kufijsh. Por unë u them – Lugina ka qenë problem në të kaluarën dhe tash nuk mund të përjashtohet nga zgjidhja e problemit shqiptaro-serb. Ne si shqiptarë nuk jemi të kënaqur në Serbi pasi nuk na kanë plotësuar të drejtat, na kanë bërë të shpërngulemi, madje as ujësjellës nuk kemi. Në njëzet vitet e fundit nuk ka pasur asnjë investim shteti në Luginë. Ne si komuna mundohemi me kapacitetet tona dhe me ndihma të ndërkombëtarëve të bëjmë diçka. U them – krahasoni pozitën tonë me atë të serbëve në Kosovë. Përderisa serbët në Kosovë kanë vende të garantuara në Parlament, unë këtu duhet të mbledh 10 mijë nënshkrime e të deponoj 40 mijë euro që të marr pjesë në zgjedhjet parlamentare, e më pastaj të marr 14 mijë vota që të bëhem deputet. E tash si mundet pa Luginën të zgjidhet kontesti shqiptaro-serb? Unë kam lindur dhe rritur në Gjermani, e kam jetuar demokracinë, por gjithçka ka një kufi.

 

KDP: Pra, ju do të pranonit të jeni pjesë e Serbisë vetëm nëse ka reciprocitet në të drejtat me serbët e Kosovës?

Shqipërim Arifi: Kërkesa jonë prioritare është bashkëngjitja me Kosovën. Baza e politikbërjes tonë është referendumi i vitit 1992. Për këtë ne angazhohemi, e jo për reciprocitet. Nëse një ide e tillë do të ishte e papranueshme nga ndërkombëtarët, atëherë reciprociteti del si alternativë. Sepse, në të kundërtën, nuk e di si të jetojmë kështu, si ti mbajmë të rinjtë këtu.

 

KDP: Për bashkëngjitje një herë duhet të binden partitë në Kosovë që kundërshtojnë këtë ide e pastaj të tjerët.

Shqipërim Arifi: Këtë e thonë nga shkaku se frikohen që mos u shkëputet veriu i Kosovës.

 

KDP: Si duket tani më sa e sa vite asgjë nuk ka lëvizur në drejtim të integrimit të veriut në Kosovë.

Shqipërim Arifi: Nuk ka lëvizur ngase strukturat e atjeshme i financon Beogradi. Nëse do të arrihej një marrëveshje Kosovë-Serbi atëherë gjithsesi se do të ishte integruar. Për Luginën e Preshevës u them një gjë – nëse kjo pjesë do të lihet nën Serbi, e do të vazhdonte politika diskriminuese e Beogradit, atëherë qetësi nuk do të ketë këtu.