Intervistë eksluzive e kryetarës së PVD’s, Ardita Sinani për Minstrinë e Lajmeve
Pas zhvillimeve të fundit politike në komunën e Preshevës, redaksia e Ministrisë së Lajmeve ka realizuar një intervistë eksluzive me kryetaren e Partisë për Veprim Demokratik dega në Preshevë, znj.Ardita Sinanin.
Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë :
Redaksia- Si e vlerësoni punën e pushtetit komunal për periudhën dy vjeçare?. Cili është raporti mes premtimeve e mbajtjes së fjalës së dhënë nga partitë në pushtet?
Znj.Sinani – Që nga formimi i institucioneve të dala nga rezultatet e zgjedhjeve të fundit të parakohshme në komunë të Preshevës të mbajtura më 24 dhjetor 2017 ky pushtet, me theks të veçant kryetari aktual i komunës ka vazhduar të merret me sjellje të vrazhda dhe fyerje në drejtim të opozitës, e sidomos figurave të Partisë për Veprim Demokratik. Në total për periudhën dy vjeçare të funksionimit të saj nuk janë mbajtur as 10 seanca të Kuvendit Komunal. Në çdo rast, seancat e Kuvendit Komunal janë mbajtur në limitet e shpërbërjes së Kuvendit, pra mesatarisht në çdo 3 muaj nga një seancë, e karakterizuar me fjalor të vrazhdë të kryetarit të Komunës ndaj këshilltarëve të opozitës.
Sa i përket raportit të premtimeve megalomane të fushatës parazgjedhore dhe gjendjes reale, ka mospërputhje të madhe. Premtimet për hapje të fabrikave, sjellje të investitorëve të huaj në Preshevë, depolitizim të institucioneve janë harruar krejtësisht nga kryetari i Komunës. Përkundrazi, kemi harxhim enorm të buxhetit të komunës, gjegjësisht taksapaguesve tanë të përdorura për ngopjen e apetiteve politike e të interesit për një rreth të ngushtë rreth kryetarit të komunës. Asnjë projekt serioz në interes të qytetarëve nuk është realizuar.
Redaksia- Si e komentoni situatën aktuale politike në vend që është krijuar javëve të fundit?
Znj.Sinani- Seanca e paraparë të mbahet për 2 mars, tashmë të gjithë janë të njoftuar se është shtyrë të mbahet me 9 mars. Arsyet e kësaj shtyerje së paku zyrtarisht janë të panjohura. Mirëpo, që nga formimi i qeverisjes lokale të dala nga zgjedhjet e 24 dhjetorit të 2017, para çdo seance janë shfaqur probleme brenda shumicës udhëheqëse të pushtetit lokal. A do të jetë situata e tashme e ngjashme apo jo, mbetet të shihet të hënën, ditën kur është caktuar mbajtja e seancës. Ne si PVD, që nga fillimi kemi shfaqur kundërshtimin tonë për mënyrën e funksionimit të pushtetit e sidomos të mbajtjes së seancave të Kuvendit Komunal.
Redaksia- Në rast të shpërndarjes së Kuvendit Komunal, PVD preferon të shkojë në zgjedhje te reja apo do të provoni të krijoni një shumicë te re ?
Znj.Sinani- Tashmë është e njohur situata që në rast të mos mbajtjes së seancës së Kuvendit Komunal deri më 12 mars, do të vijë deri te shpërbërja e Kuvendit për shkak të mos mbajtjes së Seancës në afat prej 3 muajve. Kësaj qeverisje të brishtë i takon përgjegjësia për funksionimin e pushtetit dhe mbarëvajtjen e seancave gjë që ne se kemi obligim t’i sigurojmë shumicë. Në rast të kundërt, Partia për Veprim Demokratik do të jetë e gatshme edhe nëse do të vinte deri te shpërbërja e Kuvendit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në komunën e Preshevës.
Redaksia- Serbia ka shpallur zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 26 Prill 2020, ku shqiptarët do të jenë me një listë të përbashkët. Si po rrjedhin pergatitjet për këto zgjedhje dhe cilat janë pritjet e PVD-së ?
Znj.Sinani- Kryetarja e Kuvendit më 4 mars shpalli edhe zyrtarisht datën e zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të mbahen më 26 prill të këtij viti. Kësaj here, si rezultat i insistimit të Qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës, shqiptarët do të dalin në këto zgjedhje parlamentare me një listë të përbashkët e përfaqësuar nga 5 subjekte politike shqiptare. Pikërisht falë punës dhe insistimit të institucioneve të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës, është arritur synimi i Partisë për Veprim Demokratik të cilin e kemi pasur që nga dalja e parë në zgjedhjet parlamentare, që spektri politik shqiptar në Luginë për zgjedhjet parlamentare të dalin të unifikuar.
Sa i përket përgaditjeve, kryesia e përgjithshme në mbledhjen e mbajtur mbrëmë ka caktuar kandidatët nga rradhët e PVD-së në listën e përbashkët për zgjedhjet parlamentare si dhe ka emëruar anëtarët e shtabit zgjedhor nga rradhët e saj. Besojmë se gjatë ditëve në vijim do ta bëjnë të njejtën edhe subjektet tjera pjesëmarrëse në këtë listë zgjedhore. Me një angazhim konkret dhe serioz të të gjitha subjekteve që janë pjesë e listës së përbashkët, suksesi do të jetë i garantuar.
Redaksia- Fenomeni i migrimit të të rinjve po vazhdon edhe më tutje dhe duket se subjektet shqiptare në Luginë nuk do të mund ta parandalojnë këtë fenomen. Cili është mesazhi i juaj për të rinjtë e Preshevës?
Znj.Sinani- Diskriminimi permanent shtetëror, duke filluar me mosnjohjen e diplomave të universiteteve të Kosovës, e pastaj mos integrimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore, obligim të cilin shteti serb e kishte marrë në prezenc të institucioneve dhe ambasadave ndërkombëtare, ka shkaktuar migrimin tash e sa vite të të rinjëve të komunës së Preshevës. Me këto shkelje nga ana e Serbisë, ajo ka arritur spastrimin në heshtje të Luginës së Preshevës. Ky ka qenë në mënyrë koherente shqetësim i yni si PVD, të cilin e kemi ngritur në të gjitha instancat në të cilat na është dhënë mundësia, por që mjerisht deri më tani nuk ka hasur në reflektimin e shtetit serb. Prandaj ka qenë e pafalshme për ne, që kryetari i APN dhe i komunës të akuzojë subjektet politike shqiptare që kanë vepruar në Preshevë, për paaftësi në parandalimin e migrimit. Me këtë, ai mjerisht ka amnistuar të gjitha qeveritë e Serbisë.
Shpresoj që përfshirja e Luginës së Preshevës në fazën finale të bisedimeve Kosovë – Serbi do të rezultojë me ndonjë hap konkret për ndryshimin e gjendjes së mjerueshme ekonomiko-sociale të banorëve të kësaj treve, e rrjedhimisht edhe shpresën e të rinjëve që të jetojnë e kontribojnë në vendin e tyre.
Mesazhi im për të gjithë të rinjtë e Preshevës do të ishte që ata të arsimojnë e të arrijnë majat e suksesit gjatë profesionalizimit të tyre, në mënyrë që në një të ardhme më premtuese për komunën tonë, të jenë shpresa e vetme e ndryshimit të gjendjes këtu.