Maqedoni

Kriza me migrantët, Republika e Maqedonisë së Veriut mbyll kufijtë

Maqedonia e Veriut do të mbyllë plotësisht kufijtë për emigrantët, në rast se dështon ndalesa e parë në kufirin turko-grek. Kryeministri Oliver Spasovski tha se nuk do të lejojnë asnjë hyrje ilegale në territorin e shtetit, as për të kaluar transit e aq më pak për t’u strehuar këtu. Ai këtë qëndrim e dha pas dyndjes së emigrantëve nga Lindja e Mesme në zonën neutrale ndërmjet kufirit të Turqisë dhe BE-së.

Tani më duket qartë se transitimi nuk është opsion dhe nuk mund të funksionoj ajo rutë. Vendimi ynë është të kemi zero tolerancë për hyrjen e emigrantëve. Ju e dini që kemi të shpallur gjendje krize, janë shtuar forcat policore dhe ushtarake në kufirin jugor – deklaroi Oliver Spasovski, Kryeministër teknik.

Por, aktualisht në kufirin jugor gjendja është stabile, thotë ministri i Brendshëm Naqe Çulev.
Ai theksoi se në planin operativ janë duke patrulluar me 130 policët ndërkombëtarë të Frontex-it, kurse në përgatitjen e terrenit janë duke rinovojmë barrierat me tel e gjemba si dhe rrugët për lëvizje të shpejtë tokësore të policisë.

Maqedonia definitivisht do të mbyll kufijtë. Ne kemi kapacitete, bazuar nga kriza e mëparshme tani jemi shumë më mirë të përgatitur. Kemi edhe policë ndërkombëtarë që bashkë bëjmë patrulla në kufirin jugor. Por, kemi edhe mjete teknike. Do të japim maksimumin për tra mbyllur kufirin tonë dhe të parandalojmë një valë të re të emigrantëve drejt territorit të shtetit tonë dhe shteteve të BE-së – tha Naqe Çulev, Ministër i brendshëm teknik.

Nga Qeveria u tha se plani i shtetit tonë për të ndaluar dyndjet e emigrantëve është i krijuar në dy baza. Së pari, koordinimi me shtetet e BE-së sipas politikave të tyre për menaxhimin me krizën e emigrantëve. Së dyti, bashkëpunimi me shtetet e rajonit, të cilat kanë problemin e njëjtë me emigrantët ilegal.

Nga Qeveria thonë që është e pamundur të ndalet e gjithë vala vetëm nga një shtet.

Sipas autoriteteve evropiane, nëse ka një valë të re të emigrantëve kufijtë e BE-së do të blindohen dhe emigrantët do të mbeten nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor.

Adnan Qaili