Hovenier: Nga marrëveshja e përkohshme do të përfitojnë edhe Kosova edhe Serbia
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka mirëpritur deklarimin e emisarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, se Kosova ka pranuar në parim propozimin e Bashkimit Evropian. Ai ka thënë se nga marrëveshja do të përfitojnë të dyja shtetet.
“Shtetet e Bashkuara është e inkurajuar dhe mirëpret vendimin e Kosovës që po ashtu ta pranojë në parim propozimin e Bashkimit Evropian dhe do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e plotë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme për Kosovën dhe për Serbinë”, ka shkruar Hovenier në Twitter.
Pas takimit të hënën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se e pranon propozimin si “bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si një platformë solide për të ecur përpara”. Kurti në vazhdimësi e ka cilësuar si të tillë propozimin evropian.
Në Prishtinë, Lajçaku ka përsëritur thirrjen e ndërkombëtarëve për themelim të Asociacionit.
Pikat e planit evropian nuk janë bërë ende publike. Ka disa muaj që ky plan u është prezantuar palëve. Aty nuk përmendet njohja reciproke.