Hashim Thaçi urdhëron largimin e Vlora Çitakut nga Uashingtoni
Presidenti Hashim Thaçi e ka nënshkruar dje dekretin për tërheqjen e bashkëpunëtores së tij shumëvjeçare, ambasadores Vlora Çitaku nga misioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Pas pesë vjetëve shërbimi në Uashington, Vlora Citaku do të kthehet përfundimisht në Kosovë. Kthimi i saj nisi me shkarkimin nga ish-kryediplomati Glauk Konjufca, e tash është nënshkruar nga Presidenti Thaçi.
Sipas dekretit që e ka siguruar Gazeta Express, Presidenti Thaçi më 2 tetor eka urdhëruar largimin e ambasadores së deritanishme nga misioni në SHBA.
“Urdhërohet tërheqja e znj. Vlora Çitaku nga pozita e Ambasadores/Shefes së Misionit diplomatik të Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me seli në Uashington”, thuhet në dekretin e Presidentit.
Çitaku do të qëndrojë në Uashington deri në emërimin e ambasadorin e ri.
Ambasadorja në largim, në pesë vitet e fundit zakonisht komentohej për fjalimet e saj në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku e përfaqësonte Kosovën.