Lajme

Haradinaj konsideron se Kosova është vendi më i varfër në Evropë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Kosova është vendi më i varfër në Evropë, duke shtuar se Qeveria Kurti e po lufton “secilin që nuk mendon si ajo”.

Ai ka shkruar në Facebook të enjten se Qeveria ka vendosur ta pasurojë veten, e nëpërmjet çmimeve të larta, pensioneve të ulëta dhe kursimit të parasë publike “në bunkerin financiare nuk po i investon në mirëqenien e popullit”.

“Njeriu i Kosovës sot është i papërfaqësuar, i kundërshtuar edhe i luftuar. Pushteti politik i ka shpallur luftë edhe njeriut edhe strukturave të shtetit. Ka më shumë se tre vjet që ky pushtet është në luftë me komunat që nuk janë të partisë së tij, në luftë me gjyqësorin, me prokurorinë, me policinë, me mësimdhënësit, me mjekët e infermierët, me veteranët, me sindikatat, me bizneset, me mediat e gazetarët. Ky pushtet është në luftë me secilin që e ka mendjen e tij e nuk mendon si ai. Është në luftë me njeriun e Kosovës”, ka thënë deputeti i partisë opozitare.

Sipas kreut të AAK-së, Kosovës po i largohen edhe miqtë pasi “kemi filluar t’i zhgënjejmë”.

“Jemi vendi i vetëm në Evropë, që jemi nën sanksione të Bashkësisë Ndërkombëtare”, ka theksuar ai, derisa ka renditur disa prej hapave për “shpëtimin e popullit”/koha