Haradinaj: Kjo Qeveri që qan e çirret, e vuri në rrezik popullin me shkarkimin e bordit të SHSKUK-së
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka komentuar shkarkimin e bordit të SHSKUK-së, nga Qeveria në detyrë.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se ky vendim është i rrezikshëm dhe e vë në rrezik tërë popullin.
“Qeveria në ikje sot në kohë epidemie gjatë kohës kur qan e çirret se të tjerët po sulmojnë padrejtësisht, merr vendimin më të rrezikshëm menaxhues duke vënë në rrezik tërë popullin. Sot kjo Qeveri e mashtrimit shkarkon bordin kinse politik të SHSKUK-së për ta zëvendësuar me këshilltarin politik të Ministrit, kandidatin për deputet të Vetëvendosjes, Mirsad Shkretën”, ka shkruar ai.
Haradinanj thotë se epidemia po politizohet nga kjo Qeveri mbi supet e shëndetit të popullit.
“Kryeministri i shkarkuar me mbi 2/3 të Kuvendit, vazhdon me shkarkime. Ja fytyra e vërtetë e kësaj Qeverie, e cila parim të vetëm ka mashtrimin. Kjo është çkapje për kapje”, ka shkruar ai.