Grenell: Do të ricaktojmë së shpejti takimin në Washington
Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për dialogun Kosovë-Serbi, është shprehur se e kupton vendimin e kryeministrit Avdullah Hoti për anulim të pjesëmarrjes në takimin e planifikuar për 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë.
Ai në një njoftim të shkurtër në Twitter ka thënë se do të ricaktojnë kohën e takimit së shpejti.
Sot kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, bëri të ditur se anulon pjesëmarrjen në takimin në Washington, pas situatës së re të krijuar, me ngritje e akuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në kuadër të Gjykatës Speciale. Të mërkurën, presidenti Thaçi kishte bërë të ditur se ka anuluar vizitën në SHBA, pas kësaj akuze.
“Faleminderit kryeministri Hoti. E kuptojmë vendimin tuaj dhe presim të ricaktojmë takimin së shpejti”, ka shkruar Grenell në Twitter si përgjigje e postimit të Hotit ku kishte shkruar se “për shkak të zhvillimeve në Prishtinë i duhet të kthehet në vend që të merret me situatën”.