Gjykata Administrative hedh poshtë padinë e KKSH-së ndaj Ministrisë së Pakicave lidhur me fondin për bujqësi
Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Administrative të Serbisë – Departamenti në Nish, e cila më 25 prill 2025 ka hedhur poshtë padinë e KKSH-së kundër Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Dialogun Social. Sipas këtij vendimi, KKSH nuk ka të drejtë të jetë palë në procedurë dhe, si pasojë, nuk mund të mbrojë vendimet e veta të anuluara nga kjo ministri.
Kryetari i KKSH-së, Enkel Rexhepi, e ka cilësuar këtë vendim si një goditje të rëndë ndaj autonomisë institucionale të shqiptarëve në Serbi, duke thënë:
“Na mohojnë të drejtën për të mbrojtur të drejtën!”
Rexhepi theksoi se gjykata e pranon ekzistencën e vendimit të KKSH-së, e pranon ndërhyrjen e ministrisë, por sërish e përjashton KKSH-në nga e drejta për ta kundërshtuar këtë ndërhyrje.
“Na njohin rolin, por jo zërin. Na lejojnë të marrim vendime, por nuk na lejojnë t’i mbrojmë ato. Kjo është fytyra reale e një sistemi që kërkon pakica të heshtura dhe institucione pa fuqi. Sipas këtij vendimi absurd, KKSH mund të marrë vendime për shqiptarët, por nuk ka të drejtë t’i mbrojë ato vendime kur dikush i anullon arbitrarisht,” u shpreh Rexhepi.
Në arsyetimin e saj, gjykata është mbështetur në interpretimin se:
“Prvostepeni organ uprave ne može da bude tužilac u upravnom sporu…”
që do të thotë: institucioni që ka marrë vendimin nuk mund të jetë paditës në procesin administrativ, kur vendimi i tij anulohet.
Ky interpretim, sipas KKSH-së, nuk është thjesht çështje juridike, por një shembull i qartë i përjashtimit institucional të shqiptarëve si pakicë. “Kjo është një recetë për institucione të zbrazëta dhe drejtësi selektive,” tha Rexhepi.
Ai theksoi se respektimi i autonomisë së KKSH-së nuk është favor, por obligim ligjor dhe kushtetues:
“Ne nuk jemi degë e ndonjë ministrie. Ne jemi institucion përfaqësues i shqiptarëve në Serbi, i zgjedhur në mënyrë demokratike në zgjedhje të drejtpërdrejta. Nuk kërkojmë mëshirë. Kërkojmë barazi. Kërkojmë të drejtën që të jemi subjekt i ligjit, jo objekt i vendimeve arbitrare. Dhe nuk do të ndalemi”, u shpreh Rexhepi.