Bota

Gjermania planifikon rihapje të mëtejshme të ekonomisë

Gjermania pritet të shpallë plane të mëtejshme për rihapjen e ekonomisë së mbyllur si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Në një konferencë telefonike, kancelarja Angela Merkel dhe krerët e 16 landeve pritet të vendosin për heqjen e shumë masave kufizuese në javët e ardhshme.

Plani do t’iu lejojë landeve të vendosin vetë për hapjen graduale të universiteteve, restoranteve, hoteleve, studiove kozmetike, teatrove, kinemave dhe palestrave.

Gjermania tashmë i ka hequr disa kufizime të vogla, pasi i ka rënë numri i të infektuarve me koronavirus.

Por, Merkel ka paralajmëruar se çdo rritje e infeksioneve mund ta detyrojë qeverinë t’i rivendosë masat kufizuese.

Të martën, kreu i Institutit Robert Robert – agjenci shëndetësore e Qeverisë gjermane – u tha gazetarëve në Berlin se vala e dytë e koronavirusit do të vijë “me shumë siguri” dhe se shumë ekspertë të shëndetit presin edhe valë të tretë, përcjell rel.

“Kjo është pandemi. Dhe në një pandemi, virusi do të shkaktojë sëmundje derisa të infektohet 60 deri në 70 për qind e popullsisë”, tha Lothar Wieler.